Përfundoi raundi i parë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë me ndërmjetësim të SHBA-së në Abu Dabi
- Përfaqësues rusë, ukrainas dhe amerikanë u takuan dje në Abu Dabi për herë të parë në këtë format për të diskutuar kushtet për përfundimin e luftës katërvjeçare në Ukrainë, ndërsa Moska vazhdon të këmbëngulë që Kievi të tërheqë forcat e tij nga Donbasi, raportuan agjencitë botërore.
Abu Dabi, 24 janar 2026 (MIA) - Përfaqësues rusë, ukrainas dhe amerikanë u takuan dje në Abu Dabi për herë të parë në këtë format për të diskutuar kushtet për përfundimin e luftës katërvjeçare në Ukrainë, ndërsa Moska vazhdon të këmbëngulë që Kievi të tërheqë forcat e tij nga Donbasi, raportuan agjencitë botërore.
Sipas presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, çështja e diskutueshme e territorit mbetet pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje në këto bisedime, të cilat do të vazhdojnë sot.
Këto janë bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit mbi planin amerikan për t'i dhënë fund luftës, e cila ka marrë dhjetëra mijëra jetë që nga viti 2022.
Sipas kryenegociatorit ukrainas Rustem Umerov, bisedimet u përqendruan në "kushtet për përfundimin e luftës të vendosura nga Rusia dhe hapat e mëtejshëm logjikë në procesin e negociatave, që synojnë një paqe dinjitoze dhe të qëndrueshme".
"Për të shtunën janë planifikuar më shumë takime", shtoi mbrëmë Umerov.
Delegacioni rus kryesohet nga gjenerali Igor Kostjukov, kreu i inteligjencës ushtarake ruse. Uashingtoni përfaqësohet nga i dërguari i posaçëm Stiv Vitkof dhe Xhered Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Tramp.
Bisedimet po zhvillohen në mes të një situate të ndërlikuar për Ukrainën, rrjeti energjetik i së cilës është dëmtuar rëndë nga një seri sulmesh ruse që kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe ngrohjes. mb/
Foto: MIA