Putini njofton marrjen e qytetit ukrainas Seversk
- Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Valerij Gerasimov njoftuan dje marrjen e qytetit Seversk në Ukrainën lindore, duke hapur kësisoj rrugën për ofensivë të mëtejshme, informon DPA.
Moskë, 12 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Valerij Gerasimov njoftuan dje marrjen e qytetit Seversk në Ukrainën lindore, duke hapur kësisoj rrugën për ofensivë të mëtejshme, informon DPA.
"Kjo do të thotë se janë të mundshme sulme të tjera të suksesshme në drejtime tjera në Donbasin lindor", ka thënë Putini gjatë takimit të transmetuar në televizionin shtetëror dhe nëpërmjet video -lidhjes.
Pala ukrainase fillimisht nuk ka komentuar dorëzimin e supozuar të qytetit.
Armata ruse tha se qëllimi i saj i ardhshëm është marrja e qytetit Slavjansk që ishte shtëpia e më shumë se 100.000 njerëzve para se të fillonte lufta në vitin 2022.
Iniciativa strategjike është plotësisht në duart e ushtrisë ruse, tha ai, duke shtuar se marrja e rajoneve të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporozhjes po përparon.
Putini nuk përmendi bisedimet e vazhdueshme për t'i dhënë fund luftës apo planit paqësor të presidentit amerikan Donald Tramp, thekson DPA.
Ai më parë i ka përshkruar propozimet e Trampit si bazë për negociata, por bëri qartë me dije se Rusia mund të arrijë qëllimet e saj në fushën e betejës nëse Kievi refuzon kushtet e Moskës për marrëveshje.
Për shembull, Putini kërkon që Ukraina të dorëzojë gjithë pjesën lindore të Donbasit në këmbim të një armëpushimi - me fjalë të tjera, Kievi të tërhiqet nga territoret që ende i kontrollon. Ukraina gjithmonë e ka refuzuar kategorikisht këtë kërkesë.
Në takimin e djeshëm, Putini riafirmoi qëllimin e "dëbimit të formacioneve ukrainase nga territori ynë dhe kthimit të jetës paqësore në tokën e Donbasit".
Foto: arkivi i MIA-s