Putini njoftoi se rusët e kanë pushtuar qytetin ukrainas Seversk
- Presidenti rus Vladimir Putin dhe shefi i Shtatmadhorisë, Valeri Gerasimov njoftuan sot pushtimin e qytetit Seversk në Ukrainën lindore, duke hapur rrugën për përparime të mëtejshme, raportoi DPA.
Moskë, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin dhe shefi i Shtatmadhorisë, Valeri Gerasimov njoftuan sot pushtimin e qytetit Seversk në Ukrainën lindore, duke hapur rrugën për përparime të mëtejshme, raportoi DPA.
Putin, në një takim të transmetuar në televizionin shtetëror dhe pjesërisht nëpërmjet video-lidhjes, tha se "kjo do të thotë që tani janë të mundshme sulme të tjera të suksesshme në drejtime të tjera në rajonin lindor të Donbasit".
Pala ukrainase fillimisht nuk komentoi zyrtarisht mbi informacionin.
Ushtria ruse tha se qëllimi i saj i ardhshëm ishte të pushtonte qytetin e Slavjansk, i cili ishte shtëpia e më shumë se 100,000 njerëzve para se të fillonte lufta në vitin 2022.
Putin përshëndeti "dinamikat" në front dhe vlerësoi ushtarët me fjalë si "mrekullueshme, djema" dhe "Ju përqafoj fort".
"Iniciativa strategjike është plotësisht në duart e ushtrisë ruse", tha ai, duke shtuar se pushtimi i rajoneve Donjeck, Lugansk, Herson dhe Zaporizhje po përparon.
Putini nuk i përmendi negociatat në vazhdim për t'i dhënë fund luftës apo planin e paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp.
Ai më parë i ka përshkruar propozimet e Trampit si bazë për bisedime, por e ka bërë të qartë se Rusia mund të arrijë qëllimet e saj në fushën e betejës nëse Kievi refuzon kushtet e Moskës për zgjidhjen e konfliktit.
Putini, për shembull, po kërkon që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit në këmbim të një armëpushimi, ose që Kievi të tërhiqet nga zonat që ende i kontrollon. Ukraina e refuzon kategorikisht këtë.
Në takimin e sotëm, Putini riafirmoi qëllimin e "dëbimit të formacioneve ukrainase nga territori ynë dhe rivendosjes së jetës paqësore në territorin e Donbasit". mb/
Foto: DPA