PTHP Shkup: Mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për ndotësit e ajrit në kryeqytet
- – Gjatë ditës së sotme, me kërkesë të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup po bëhen mbikëqyrje të koordinuara të jashtëzakonshme inspektuese nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe inspektorët komunalë nga komunat e Qytetit të Shkupit dhe Qyteti i Shkupit, si dhe nga MPB dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në rajonin e kryeqytetit.

Shkup, 13 shkurt 2025 (MIA) – Gjatë ditës së sotme, me kërkesë të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup po bëhen mbikëqyrje të koordinuara të jashtëzakonshme inspektuese nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe inspektorët komunalë nga komunat e Qytetit të Shkupit dhe Qyteti i Shkupit, si dhe nga MPB dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në rajonin e kryeqytetit.
Siç informojnë nga Prokuroria Publike Republikane, veprimet ndërmerren në kuadër të lëndës lidhur me ndotjen e ajrit në Shkup, ndërsa të gjitha institucionet kompetente janë të detyruara të përgatisin raporte adekuate nga kontrollet e kryera dhe t’i dorëzojnë në prokurori.
“Inspektorët shtetërorë të mjedisit jetësor duhet të kryejnë mbikëqyrje në instalimet që kanë leje të integruar ekologjike A dhe instalimet që kanë një raport të miratuar të mbrojtjes së mjedisit, miratimi i të cilit është përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Mbikëqyrja inspektuese do të përqendrohet në instalimet që gjatë kryerjes së proceseve teknologjike mund të kontribuojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit të ambientit dhe në personat juridikë që përdorin naftë/mazut për ngrohjen e objekteve të tyre”, sqarojnë nga Prokuroria.
Me të njëjtën detyrë, inspektorët e autorizuar të mjedisit jetësor të Qytetit të Shkupit duhet të bëjnë kontrolle të jashtëzakonshme në objektet që posedojnë leje të integruar ekologjike B dhe në objektet që kanë raport të miratuar për mbrojtjen e mjedisit, miratimi i të cilave është përgjegjësi e kryetarit të qytetit të Shkupit. Inspektorët komunalë dhe rojet komunale janë përgjegjës për kontrollin e automjeteve që dalin nga kantieret për të parë nëse lajnë rrotat e tyre, nëse ka ndonjë derdhje të mbeturinave në zona publike ose nëse ka ndezje zjarri në mjedise të hapura.
Inspektoratet e autorizuara të mjedisit jetësor pranë komunave në qytetin e Shkupit duhet të bëjnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në instalacionet të cilat posedojnë Elaborat të miratuar për mbrojtje të mjedisit jetësor, ndërsa për miratimin e të cilit është kompetent kryetari i komunës.
Nga Prokuroria informojnë se Ministria e Punëve të Brendshme po kryen kontrolle nëse respektohet regjimi i veçantë i komunikacionit për automjetet e rënda transportuese, duke i rikahëzuar drejt rrugëve anësore me qëllim që të ulet komunikacioni në mjediset urbane.
Inspektorët në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, duhet të kryejnë kontroll të subjekteve juridike, organet e administratës shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes lokale, shoqatat tregtare, ndërmarrjet publike, institucionet dhe shërbimet për mbrojtje dhe shpëtim nga zjarre të njerëzve të cilat për ngrohje të hapësirave shfrytëzojnë mazut/naftë nëse rregullisht i mirëmbajnë djegësit dhe rregullisht i pastrojnë oxhaqet në bazë të dinamikës së shënuar ligjore.
Pas parashtrimit të të gjitha raporteve, nëse ato përmbajnë elemente të veprës penale nga lëmi e mjedisit jetësor dhe natyrës, Prokuroria Themelore Publike Shkup menjëherë do të nisë procedura kundër kryerësve. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s