• недела, 11 јануари 2026

Protesta masive në Iran, digjen ndërtesa qeveritare, mbështetje edhe nga djali i Shahut Reza Pahlavi

Protesta masive në Iran, digjen ndërtesa qeveritare, mbështetje edhe nga djali i Shahut Reza Pahlavi

Teheran, 9 janar 2026 (MIA) – Në Teheran dhe qytete tjera të Iranit po mbahen protesta masive antiqeveritare, ndërsa pamjet nga vendi tregojnë demonstratat më të mëdha kundër regjimit klerikal në vitet e fundit.

Trazirat të cilat kanë hyrë në ditën e 12-të me radhë, janë nxitur nga zemërimi për zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe janë përhapur në më shumë se 100 qytete në të gjithë vendin.

Protestat janë inkurajuar më tej nga një thirrje nga Reza Pahlavi i cili jeton në Uashington, babai i të cilit u rrëzua nga froni nga Revolucioni islamik në vitin 1979. Ai i nxiti iranianët të "dalin në rrugë dhe si një front i bashkuar të shprehin kërkesat e tyre".

Mediat shtetërore iraniane kanë minimizuar shkallën e trazirave ose i kanë mohuar ato plotësisht, duke publikuar pamje të rrugëve të zbrazëta. Autoritetet gjithashtu kanë përdorur masa drastike, ku grupi monitorues NetBlocks publikoi një "mbyllje kombëtare të internetit" në përpjekje për të ndërprerë komunikimet e protestuesve. Situata në Iran po monitorohet nga afër nga bashkësia ndërkombëtare.

Djali i Shahut Reza Pahlavi i cili u rrëzua nga pushteti në revolucionin e vitit 1979, ka mbështetur protestuesit dhe ka falënderuar presidentin amerikan Donald Tramp.

Ai u bëri thirrje iranianëve të “dalin në rrugë dhe si një front i bashkuar, të japin kërkesat e tyre”.

Në një postim në X, Pahlavi tha se “miliona iranianë kërkuan lirinë e tyre sonte”, duke i përshkruar protestuesit si “bashkëkombëtarë të tij të guximshëm” dhe falënderoi Trampin.

Në protestat të cilat filluan më 28 dhjetor me një protestë nga tregtarët në Teheran, qëndron një krizë e thellë ekonomike. Monedha iraniane rial, ka rënë në një nivel rekord të ulët kundrejt dollarit dhe inflacioni është rritur në 40 për qind. Ekonomia është nën presion nga sanksionet e SHBA-së, por edhe nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni.

Dëshpërimi që i ka dërguar njerëzit në rrugë përshkruhet më së miri në mesazhet e dërguara në Bi-Bi-Si. “Po jetojmë në pasiguri”, tha një grua në Teheran. “Ndihem sikur jam në ajër, pa krahë për të migruar ose për të shpresuar të arrij qëllimet e mia këtu. Jeta këtu është bërë e padurueshme”, tha ajo.

Vala aktuale e protestave është më e përhapura që nga kryengritja e vitit 2022 e shkaktuar nga vdekja e Mahsa Aminit, një gruaje të re kurde që vdiq në paraburgim nga policia për respektimin e moralit. Në këto protesta më shumë se 550 persona u vranë, ndërsa 20.000 të tjerë u arrestuan.

Por protestat më të mëdha që nga Revolucioni islamik u zhvilluan në vitin 2009, kur miliona iranianë dolën në rrugë pas zgjedhjeve presidenciale të kontestuara, duke rezultuar me vdekjen e dhjetëra mbështetësve të opozitës dhe mijëra arrestimeve.

Presidenti Donald Tramp mbrëmë përsëriti kërcënimin e tij për ndërhyrje ushtarake nëse autoritetet iraniane përdorin dhunë vdekjeprurëse.

"Ua kam bërë të ditur atyre se nëse fillojnë të vrasin njerëz, gjë që zakonisht e bëjnë gjatë trazirave të tyre dhe kanë shumë trazira, nëse e bëjnë këtë, do t'i godasim shumë rëndë", tha Trampi.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Masud Pezeshkijan u bëri thirrje forcave të sigurisë të tregojnë "përmbajtje ekstreme" në trajtimin e protestave paqësore.

Lideri suprem Ali Hamnei tha se duhet të bisedohet me protestuesit, por se "rebelëve duhet t'u tregohet vendi".

Ndërsa protestat përshkallëzohen, rritet edhe numri i viktimave. Raportet nga organizatat e të drejtave të njeriut ndryshojnë në mënyrë dramatike nga shifrat zyrtare. Organizata amerikane e të drejtave të njeriut (HRANA) publikoi se janë vrarë të paktën 34 protestues, përfshirë pesë fëmijë dhe tetë anëtarë të forcave të sigurisë. Sipas të dhënave të saj, madje janë arrestuar më shumë se 2.270 persona.

Остани поврзан