• петок, 05 декември 2025

Propozim-vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve në seancën plenare

Propozim-vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve në seancën plenare

Shkup, 5 dhjetor 2025 (MIA) - Në Kuvend sot duhet të mbahet seanca plenare e 74-të, në të cilën në rend dite është Propozim-vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve, në lexim të dytë.

Siç thuhet në Propozim-vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, qëllimi i Vendimit të propozuar është realokimi i duhur i mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë, me qëllim financimin e nevojave prioritare të tyre, në funksion të përmirësimit të realizimit të Buxhetit për vitin 2025.

"Bëhet rishpërndarje e mjeteve në kuadër të buxhetit të miratuar të Ministrisë së Mbrojtjes. Me këtë sigurohen mjete shtesë për transfertat drejt FSPIM-së mbi bazën e shpenzimeve kalimtare të lidhura me detyrimet ligjore për pagesën e pensioneve, për transfertat drejt FSSH-së mbi bazën e detyrimeve për kontribute për sigurim të detyrueshëm shëndetësor për personat që nuk kanë sigurim shëndetësor në asnjë bazë, si dhe për pagesën e kompensimit të pagës gjatë pushimit për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe lehonisë, mjetet sigurohen për kthimin e kontributeve të sigurimit të detyrueshëm social për të punësuarit në shoqëritë mbrojtëse, për pagesën e ndihmave sociale, për realizimin me kohë të transfertës së mjeteve drejt Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për pagesën e situatave të përkohshme në pajtim me marrëveshjen e lidhur dhe me Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit të ndërtimit të infrastrukturës së Korridorit 8 (aksi: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebënisht – Strugë – Qafëthanë) dhe Korridorit 10d (aksi i autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut (Gazeta zyrtare e RMV-së 163/2021, 111/2023 dhe 255/2024), për pagesën e plotë, sipas marrëveshjes së nënshkruar, për përgatitjen e dokumentacionit teknik të projektit për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10, për funksionimin normal të tërë sistemit hekurudhor në shtet, për hartimin e planeve urbanistike, si dhe për kontributin ndaj Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO)", thuhet në tekst.

Njëkohësisht, siç theksohet më tej, sigurohen mjete për mbulimin e shpenzimeve në procedura arbitrazhi, shpenzime për licenca, detyrime nga marrëveshjet e nënshkruara për shkak të harmonizimit të çmimeve që dalin nga paga minimale, shpenzime për rikonstruksionin e objektit të dikurshëm të Bankës Komerciale dhe të ngjashme.

Propozim-vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve, në lexim të dytë, më herët ka qenë në rend dite në Komisionin për Financim dhe Buxhet dhe në Komisionin Ligjvënës-Juridik.qa/

Foto: Arkivi

 

Остани поврзан