• петок, 02 јануари 2026

Pronarët e bar kafesë në Kran-Montana janë gjallë, viktima e parë është identifikuar, një italian 17-vjeçar

Pronarët e bar kafesë në Kran-Montana janë gjallë, viktima e parë është identifikuar, një italian 17-vjeçar

Bern, 2 janar 2026 (MIA) - Pronarët e bar kafesë "Konstelejshën" në resortin e famshëm zviceran të skijimit Kran-Montana, ku ndodhi tragjedia në natën e Vitit të Ri, janë gjallë, raportuan mediat franceze. Ata janë Xhesika dhe Zhak Moreti, me origjinë nga Korsika.

Sipas disa portaleve onlajn franceze, çifti mori bar kafenë e njohur në resortin e skijimit në vitin 2015. Përveç "Konstelejshën", ata drejtojnë edhe një tjetër lokal ushqimi në Lens.

Nën udhëheqjen e tyre, bar-kafeja dikur e lënë pas dore u shndërrua në një klub nate të njohur, një nga vendet e preferuara për të dalë natën në Kran-Montana.

Një mik i familjes konfirmoi për gazetën e përditshme korsikane "Corse-Matin" se familja Moreti ishte gjallë. Sipas raportimeve, në kohën e zjarrit në bar-kafenë ishte vetëm Xhesika Moreti, një grua 40-vjeçare, e cila thuhet se pësoi djegie në dorë.

Deri më tani, asnjë medium nuk ka mundur të flasë drejtpërdrejt me pronarët. Një punonjës tha se të gjithë janë në tronditje të thellë. "Kemi humbur disa nga punonjësit tanë, por është shumë e vështirë të flasim për këtë sot", tha punonjësi.

Gjatë zjarrit, siç raportohet nga mediat, humbi jetën 17-vjeçari Emanuele Galepini nga Italia, një lojtar golfi që jetonte me familjen e tij në Dubai.

Galepini, me origjinë nga Xhenova, ndodhej në Zvicër me miqtë kur shpërtheu zjarri në orët e para të 1 janarit në bar kafenë "Konstelejshën". Sipas autoriteteve lokale, rreth 40 persona humbën jetën në incidentin e tmerrshëm, ndërsa më shumë se njëqind u lënduan, shumë prej tyre rëndë.

Galepini konsiderohej një talent i ri i jashtëzakonshëm që garonte rregullisht në turne në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Evropën. sa/

foto: EPA

Остани поврзан