Profesorë nga katër shtete evropiane për vizitë në Kuvend
- - Në kuadër të projektit Erasmus+ “Udhëtim artistik drejt një të ardhmeje të gjelbër” (Artistic Journey to Green Future), sot Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut e vizituan profesorë nga të gjitha nivelet arsimore nga Kroacia, Turqia, Malta dhe Spanja.
Shkup, 6 nëntor 2025 (MIA) - Në kuadër të projektit Erasmus+ “Udhëtim artistik drejt një të ardhmeje të gjelbër” (Artistic Journey to Green Future), sot Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut e vizituan profesorë nga të gjitha nivelet arsimore nga Kroacia, Turqia, Malta dhe Spanja.
Vizita, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit u organizua në bashkëpunim me Fondacionin - Qendra Përkujtimore “Nikolla Klusev”.
Nena Nenovska Gjorgievska nga ky Fondacion, deputetëve ua prezantoi aktivitetet dhe qëllimet e projektit, më pas vijoi një diskutim mbi temat që i bashkojnë arsimin, artin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

"Të ftuarit patën mundësi, përveç vizitës së organizuar në ndërtesën e Kuvendit, të takohen dhe të shkëmbejnë përvoja me deputetët Velika Stojkova Serafimovskën dhe Toni Jarevskin, anëtarë të Grupit ndërpartiak parlamentar për mbrojtjen e natyrës dhe luftën kundër ndotjes dhe ndryshimeve klimatike", bëhet e ditur në kumtesë.
Në një bisedë të hapur, ata diskutuan mbi gjendjen e mjedisit, mbrojtjen e ujërave, tokës dhe ajrit, si dhe mbi trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe sfidave të tjera në këtë fushë. Deputetët i njohën mysafirët edhe me punën e “Grupit të Gjelbër” joformal në Kuvend, i cili angazhohet për përmirësimin e politikave mjedisore dhe përforcimin e ndërgjegjes publike për çështjet klimatike.
Gjatë takimit u parashtruan shumë pyetje dhe u dhanë shembuj nga praktikat e vendeve të ndryshme evropiane, me një mesazh të përbashkët se zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e natyrës janë përgjegjësi e përbashkët.
Vizita, siç bëhet e ditur në kumtesë, përbën edhe një shembull tjetër të bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve arsimore dhe Kuvendit, si dhe të rëndësisë së dialogut ndërkulturor dhe të shkëmbimit të përvojave në drejtim të një të ardhmeje të gjelbër. fc/
Foto: Kuvendi