• понеделник, 19 јануари 2026

Politiko: Marrëveshja tregtare ndërmjet BE-së dhe SHBA-së është "në pritje" pas paralajmërimeve të Trampit për tarifa të reja për vendet e BE-së

Politiko: Marrëveshja tregtare ndërmjet BE-së dhe SHBA-së është

Bruksel, 18 janar 2026 (MIA) - Deputetët në Parlamentin Evropian nuk do të miratojnë marrëveshjen historike tregtare transatlantike pasi Presidenti i SHBA-së Donald Tramp njoftoi tarifa të reja për vendet evropiane si pjesë e përpjekjes së tij për të marrë kontrollin e Grenlandës. Kështu, e ardhmja e armëpushimit në luftën tregtare, e përcaktuar nga marrëveshja e nënshkruar nga Trampi dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen korrikun e kaluar, është bërë e pasigurt, shkruan Politiko.

Konfirmimi se PE nuk do të vazhdojë me ratifikimin e marrëveshjes erdhi pasi Partia Popullore Evropiane (PPE) ndryshoi qëndrimin e saj. Kryetari i saj, Manfred Veber, tha se përshkallëzimi i tensioneve nënkupton që Parlamenti nuk do të votojë për një pakt që do të vendoste tarifa amerikane për importet e BE-së në 15 për qind në këmbim të mosvendosjes së tarifave për eksportet amerikane.

“PPE-ja është për një marrëveshje tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, por duke pasur parasysh kërcënimet e Donald Trampit në lidhje me Grenlandën, miratimi nuk është i mundur në këtë fazë”, shkroi Veber. “Tarifat prej 0 për qind për produktet amerikane duhet të lihen në pritje".

Që të mërkurën, përfaqësuesja e PPE-së, Zhejlana Zovko, deklaroi se marrëveshja me Uashingtonin “nuk do të miratohet”. Vendimi për të ngrirë ratifikimin u shty më pas, ndërsa votimi pritej më 26 janar.

Trampi njoftoi dje tarifa shtesë prej 10 për qind për vendet evropiane që morën pjesë në dërgimin e një njësie të vogël ushtarake në Grenlandë më parë këtë javë. Ai tha se tarifa do të rritet në 25 përqind më 1 qershor dhe do të mbetet në fuqi "derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë të Grenlandës".

Anëtarët e Parlamentit Evropian theksojnë se BE-ja duhet të përgatitet për një përgjigje. ls/

Остани поврзан