• петок, 05 декември 2025

Po hapet një faqe e re në zhvillimin e mjekësisë së transplantimit me fillimin e suksesshëm të transplantimeve të kornesë

Po hapet një faqe e re në zhvillimin e mjekësisë së transplantimit me fillimin e suksesshëm të transplantimeve të kornesë

Shkup, 14 nëntor 2025 (MIA) - Gjatë qëndrimit njëjavor të delegacionit mjekësor nga Duke University (SHBA), një nga institucionet më të njohura botërore në mjekësinë klinike, në Klinika Universitare për Sëmundjet e Syrit – Shkup u kryen gjithsej nëntë transplante të kornesë, duke vendosur standarde të reja në kujdesin oftalmologjik në vendin tonë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Delegacioni, i përbërë nga Prof. Dr. Lloyd Williams, Ass. Dr. Nick Garson dhe Dr. Sheena Song, gjatë vizitës së tyre u prit edhe nga kryeministri prof. dr. Hristijan Mickoski dhe ministri i shëndetësisë Azir Aliu.

"Fillimi i këtij kapitulli është rezultat i një viti përgatitjesh të themeluara dhe të përkushtuara – duke filluar nga organizimi i Listës Kombëtare të Pritjes, harmonizimi i protokolleve dhe procedurave administrative, deri te krijimi i partneritetit me Duke University, SHBA. Ne besonim se vendi ynë ka potencial për transplantim bashkëkohor të kornesë dhe sot e dëshmojmë këtë me transplantet e para të suksesshme",- theksoi koordinatorja kombëtare për transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thotë se është krenar që Maqedonia demonstron njohuri, vizion dhe angazhim të fortë institucional.

"Ky është një sukses i jashtëzakonshëm mjekësor dhe dëshmi se mund ta modernizojmë shëndetësinë dhe t’u ofrojmë pacientëve mundësinë më të mirë pas një pritjeje të gjatë",- tha ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.

Drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Syrit doc.dr. Natasha Tërpevska Shekerimov beson se kjo paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe shumë të pritur për shëndetësinë publike, për institucionin tonë, por mbi të gjitha për pacientët që kanë nevojë për një trajtim kaq të specializuar.

"Maqedonia po bën një përparim të madh drejt kujdesit oftalmologjik modern, të qasshëm dhe me cilësi të lartë, duke hapur një kapitull të ri për të gjithë pacientët. Partneriteti me Duke University, donacioni i indeve dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë në sallat operatore krijuan një bazë të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të programit", thekson ajo.

Transplantimet u realizuan nga ekipi i Klinikës Universitare për Sëmundjet e Syrit: drejtoresha e klinikës doc. dr. Natasha Trpevska Shekerinov, doc. dr. Hristijan Duma, prim. dr. Bisera Velkovska, ass. dr. Ana Trpeska Boshkoska; anesteziologët dr. Katerina Asproska Blazhevska dhe dr. Angelina Trajçevska; anestezistja Kanita Arifi, si dhe infermieret dhe instrumentaret  msc. e diplomuar Biljana Trajçeva, msc. Tamara Tasevska, msc. e diplomuar Sureja Idrizi,  msc. e diplomuar Marina Trajkovska dhe i gjithë personeli i Klinikës.

 Nga ndërhyrjet e realizuara, sipas indikacioneve mjekësore, dy u kryen me metodën DMEK – teknika më moderne ku transplantohet vetëm një shtresë mikroskopike e kornesë, e cila për herë të parë u krye në vendin tonë, ndërsa shtatë të tjerat ishin kerapoplastika penetrante (PRK), të realizuara për herë të parë në shëndetësinë publike pas gjysmë shekulli.

Me këto suksese, transplantimi i kornesë në Maqedoni fiton një model modern, të qëndrueshëm dhe me cilësi të standardeve botërore. sa/

Foto: MIA arkivi

Остани поврзан