Peskov: Përjashtimi i Rusisë nga lista e "kërcënimeve të drejtpërdrejta" për SHBA-në është një hap pozitiv
- Rusia e mirëpriti strategjinë e re kombëtare të sigurisë së SHBA-së si një hap pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitrij Peskov, të publikuar sot.
Moskë, 7 dhjetor 2025 (MIA) - Rusia e mirëpriti strategjinë e re kombëtare të sigurisë së SHBA-së si një hap pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitrij Peskov, të publikuar sot.
Revizioni i administratës së Trampit, i cili më nuk e thekson Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë, është një hap pozitiv, deklaroi Peskov për agjencinë shtetërore gazetareske Tas.
Siç transmetoi DPA, ai tha se Moska me kujdes do ta studiojë strategjinë e përditësuar, duke theksuar se kjo ndryshon nga qasjet e mëparshme amerikane ndaj Rusisë.
Shtëpia e Bardhë të enjten e publikoi strategjinë e re të sigurisë. Edhe pse identifikon përfundimin e luftës në Ukrainë si një interes kyç amerikan, dokumenti përmban pak vërejtje kritike për Rusinë.
Strategjia thekson se përfundimi i armiqësive është i domosdoshëm "për stabilizimin e ekonomive evropiane, parandalimin e përshkallëzimit ose zgjerimit të padëshiruar të luftës", dhe bën thirrje në "qëndrueshmëri strategjike" me Moskën.
Në të kundërtën, ajo kritikon Evropën, duke theksuar uljen e dmeokracisë dhe lirisë së shprehjes, dhe bën thirrje për masa korrigjuese. Ajo thekson çështjet që përfshijnë politikat e migracionit, "censurën e lirisë së shprehjes dhe shtypjen e politikës opozitare, uljen e natalitetit dhe humbjen e identitetit kombëtar dhe vetëbesimit". sa/
Foto: DPA