• петок, 05 декември 2025

Peshevska: Barazia midis grave dhe burrave duhet të bëhet pjesë përbërëse e çdo vendimi politik

Peshevska: Barazia midis grave dhe burrave duhet të bëhet pjesë përbërëse e çdo vendimi politik

Shkup, 14 nëntor 2025 

Anëtarët e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Boban Stojanoski, dhe shërbimi parlamentar morën pjesë më 12 dhe 13 nëntor 2025, në punëtorinë dyditore mbi "Avancimin e Ndjeshmërisë Gjinore në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut", të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup në bashkëpunim me ODIHR-në. 

Fjalimet përshëndetëse online në këtë aktivitet u mbajtën nga Tea Jaliashvili, zëvendësdrejtoreshë e parë, Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Zhaklina Peshevska, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, dr. Suzan E. Penksa, zëvendësshefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, dhe Sanja Nikolin, zyrtare e projektit në ODIHR. 

Në fjalimin e saj, Peshevska theksoi: "Jam e nderuar që marrë pjesë në këtë punëtori kushtuar avancimit të barazisë midis grave dhe burrave në procesin e përgatitjes dhe miratimit të ligjeve në Kuvend. Ky aktivitet, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe ODHIR-ja, është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave dhe zgjidhjeve ligjore më gjithëpërfshirëse që e pasqyrojnë realitetin dhe nevojat e të gjithë qytetarëve.". 

Si kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, besoj sinqerisht se barazia midis grave dhe burrave duhet të bëhet pjesë përbërëse e çdo vendimi politik. Qëllimi ynë është të krijojmë korniza legjislative që respektojnë parimin e barazisë, promovojnë drejtësinë dhe mundësojnë pjesëmarrjen dhe dukshmërinë e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha proceset shoqërore. Gratë nuk janë statistika, ato janë nxitëse të ndryshimit, bartëse të vizionit dhe zëri që duhet të dëgjohet. 

 

Dua të falënderoj Misionin e OSBE-së në Shkup dhe ODIHR-në për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në këtë fushë. Jam e bindur se përmes punës së përbashkët, shkëmbimit të përvojave dhe përmirësimit të praktikave, do të kontribuojmë në avancimin e barazisë midis burrave dhe grave.”

Punëtoria iu kushtua vlerësimit të zbatimit të vitit të parë të Planit të Veprimit të Kuvendit për Avancimin e Barazisë midis Grave dhe Burrave 2025-2027, si dhe ofrimit të kuptimit më të thellë se si barazia midis grave dhe burrave mund të integrohet në të gjitha fazat e procesit legjislativ - nga inicimi, përmes hartimit, deri në miratimin e ligjeve. 

Përmes shembujve praktikë, diskutimeve dhe mjeteve të përgatitura nga ekspertë të Misionit të OSBE-së në Shkup dhe ODIHR-së, pjesëmarrësit patën mundësinë të përmirësonin njohuritë dhe aftësitë e tyre në njohjen dhe vlerësimin e ndikimit të ligjeve në grupet e ndryshme të qytetarëve. 

 Punëtoria synonte gjithashtu të nxiste bashkëpunimin ndërinstitucional, të inkurajonte anëtarët e trupave të punës në Kuvend që të përfaqësohen në mënyrë aktive për barazi dhe të mundësonte krijimin e mekanizmave më efektivë që do të sigurojnë që legjislacioni të pasqyrojë vërtet parimet e përfshirjes dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

Kuvendi 

Foto: Kuvendi

 

Остани поврзан