• петок, 05 декември 2025

Pasardhës i Izet Mexhitit në funksionin zëvendëskryeministër i parë do të jetë Bekim Sali

Pasardhës i Izet Mexhitit në funksionin zëvendëskryeministër i parë do të jetë Bekim Sali

Shkup, 4 nëntor 2025 (MIA) - Pasardhësi i Izet Mexhitit, i cili e fitoi mandatin e kryetarit të Komunës së Çairit, do të jetë Bekim Sali, konfirmoi sot në konferencë për shtyp zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.

"Ne tashmë funksionojmë si VLEN dhe të gjitha ministrat momental që janë e kanë përfaqësuar VLEN-in dhe jo subjektet e tyre politike, dhe e tillë do të jetë situata edhe pas këtyre zgjedhjeve. Siç ka paralajmëruar Mexhiti, pasardhësi i tij si Zëvendëskryeministër i Parë do të jetë Bekim Sali, ndërsa një person tjetër do të emërohet si Ministër i Mjedisit Jetësordhe Planifikimit Hapësinor dhe kjo nuk është vendosur akoma. Ende nuk ka një emër specifik, tha Sulejmani, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.

Në pyetjen se çfarë pret të ndodhë me BDI-në pas zgjedhjeve, tha se ata si parti janë të mendimit se nevojiten ndryshime në BDI, por nuk presin që diçka drastike të ndryshojë në atë parti.

"Deklarata të tilla priteshin pas kësaj humbjeje që u shkaktua nga qytetarët në zgjedhjet e fundit lokale. Ne prej kohësh kemi bërë një deklaratë se nevojiten ndryshime në BDI, se ky grupim politik nuk ka një vizion të vërtetë se si të përparojë në këtë vend, dhe gjatë gjithë kohës ata kanë ndikuar në mënyrë deklarative në të gjithë skenën politike. Shpresojmë që ata e kanë marrë seriozisht mesazhin e qytetarëve dhe se atje do të ketë reforma, por presim që këto reforma të zgjasin pak më shumë, duke pasur parasysh se e dimë se si kanë performuar në skenën politike deri më tani, dhe nuk jemi shumë optimistë se realisht do të ketë ndonjë ndryshim në taborin e tyre politik", tha Sulejmani.

Ai më parë, duke përmbledhur rezultatet për koalicionin në zgjedhje, tha se zgjedhjet lokale vulosën realitetin e ri politik dhe se koalicioni VLEN po del nga ky proces si forca e dytë politike në nivel shtetëror, me 10 komuna të fituara, dhe si fituesi absolut në taborin shqiptar.

Sulejmani tha se mesazhi nga qytetarët është i qartë dhe se epoka e politikave të vjetra ka mbaruar, qytetarët votuan për punë, për përgjegjësi dhe për politika që japin rezultate.

"Në Tetovë fitoi integriteti dhe vizioni i Bilal Kasamit, i cili e shndërroi qytetin në simbol të ndryshimeve dhe qeverisjes së përgjegjshme. Në Bogovinë, qytetarët i dhanë besimin Feti Abazit, arkitektit që me dije dhe përkushtim do ta rigjallërojë komunën. Në Tearcë, pas 20 vitesh pushtet të pandryshuar, erdhi ndryshimi i shumëpritur dhe qytetarët i dhanë besimin Daut Memishit. Vetë ky fakt është një sukses i jashtëzakonshëm. Në Çairin e Izet Mexhitit, aty ku BDI tentoi ta shndërrojë garën në "referendum për mbijetesë", çairasit thanë qartë Jo! Komuna nuk është trampolinë për shpëtimin e askujt. Ndërsa në Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Dibër, Strugë dhe Dollnen, qytetarët e vulosën ndryshimin, duke e bërë VLEN-in forcën që bashkon komunat nën një vizion të përbashkët për zhvillim dhe përgjegjësi", theksoi Sulejmani.

Sipas tij, pas “23 vitesh dominim të një politke që u shkëput nga qytetari, shqiptarët zgjodhën një model të ri, politikën e përgjegjësisë”.

"VLEN e lexon këtë rezultat si fillim, si fillim të një etape të re, ku do të qeveriset me standarde evropiane dhe me respekt të plotë për qytetarin. Falënderim për të gjithë qytetarët që morën pjesë në këtë proces demokratik dhe për çdo aktivisht që e mbrojti votën me dinjitet. VLEN do të vazhdojë të jetë garanci e stabilitetit politik dhe përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione", tha Sulejmani në konferencë për shtyp. ls/ 

Foto: MIA

 

 

 

Остани поврзан