Parlamenti bullgar e pranoi njëzëri dorëheqjen e qeverisë
- Parlamenti bullgar me 277 vota "për" dhe asnjë "kundër" apo të përmbajtur sot pranoi dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rosen Zheljazkov.
Sofje, 12 dhjetor 2025 (MIA) – Parlamenti bullgar me 277 vota "për" dhe asnjë "kundër" apo të përmbajtur sot pranoi dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rosen Zheljazkov.
Ai dje në një konferencë të jashtëzakonshme në Parlament deklaroi se qeveria po jep dorëheqje.
Dorëheqja është dhënë para votimit të mosbesimit ndaj qeverisë iniciuar të premten e kaluar nga partia Ndryshimet Vazhdojnë – Bullgaria Demokratike (NV-BD) mbështetur nga nënshkrimet e deputetëve nga Aleanca për të drejta dhe liri (ADL) dhe Morali, Uniteti, Nderi (MUN).
"Koalicioni e ka shqyrtuar situatën. Nuk kemi dyshim se qeveria do të marrë mbështetje në votimin e ardhshëm të mosbesimit. Sidoqoftë, vendimet e Kuvendit popullor janë të rëndësishme kur ato pasqyrojnë vullnetin e popullit. Dëshira jonë është të jemi në nivelin që pret shoqëria. Pushteti vjen nga sovrani dhe zëri i popullit. Edhe të rinjtë dhe të moshuarit kanë ngritur zërin për dorëheqje. Kjo energji qytetare duhet të mbështetet dhe inkurajohet", theksoi dje Zheljazkovi.
Dorëheqja pasoi pas protestave të mëdha, të shkaktuara nga planet kontroverse buxhetore të qeverisë. Qeveria bullgare në fund të nëntorit e tërhoqi draft- buxhetin i cili ishte dorëzuar tashmë në parlament, pas protestave masive nga partitë dhe sindikatat në të gjithë vendin dhe paralajmërimeve nga Komisioni Evropian se draft- buxheti nuk është në harmonizim me rregullat e buxhetit të BE-së.
Protestat u përshkallëzuan në pakënaqësi të përgjithshme për korrupsionin, padrejtësinë dhe mossuksesin në shumë sektorë të punës qeveritare.
Zheljazkov u zgjodh kryeministër më 16 janar me 125 vota "për", 114 "kundër" dhe asnjë të përmbajtur.
foto: arkivi i MIA-s