• сабота, 06 декември 2025

Parashikimi i KE: Rritja e PBB-së së Maqedonisë do të përshpejtohet në dy vitet e ardhshme

Parashikimi i KE: Rritja e PBB-së së Maqedonisë do të përshpejtohet në dy vitet e ardhshme

Bruksel, 17 nëntor 2025 (MIA) - Në gjysmën e parë të vitit 2025, rritja vjetore e PBB-së së Maqedonisë u rrit në mesatare prej 3,2 për qind dhe parashikohet të vazhdojë të përshpejtohet edhe në dy vitet e ardhshme, e nxitur nga investimet dhe konsumi privat, bëhet e ditur në Parashikimin ekonomik të publikuar në vjeshtë 2025 të Komisionit Evropian, kushtuar perspektivave ekonomike të vendit.

"Përkundër performancave të forta të të ardhurave publike në nëntë muajt e parë të vitit 2025, arritja e qëllimit të deficitit prej katër për qind të PBB-së për vitin 2025 paraqet sfidë, pasi shpenzimet rrjedhëse ishin më të larta se ato që janë planifikuar fillimisht. Është parashikuar që deficiti do të ulet gradualisht, por do të mbetet mbi tre për qind të PBB-së", thuhet në dokumentin.

Sipas KE, në gjysmën e parë të vitit 2025, aktiviteti ekonomik u nxit kryesisht nga investimet dhe konsumi privat, ndërsa konsumi publik mbeti i pandryshuar pas një rritjeje të konsiderueshme vitin e kaluar.

“Rritja e konsumit të amvisërive është rritur pas performancave të dobëta në vitin 2024, e mbështetur nga rritja e të ardhurave reale të disponueshme të nxitura nga rritja e fortë e pensioneve dhe pagave, zgjerimi i kredive familjare dhe ulja e inflacionit”, thuhet në Parashikimin.

Komisioni parashikon që konsumi privat me siguri të mbetet i fortë gjatë viteve 2026 dhe 2027, me të ardhurat në dispozicion që rriten gradualisht, megjithëse me ritme më të ulëta duke marrë parasysh rritjen e parashikuar të pagave dhe pensioneve.

"Investimet bruto me siguri do të jenë nxitësi kryesor i rritjes. Punët publike në korridoret rrugore 8 dhe 10d filluan në vitin 2025 dhe kontributi i tyre në rritjen ekonomike pritet të arrijë kulmin në vitin 2027. Investimet private përfitojnë nga përmirësimi i mjedisit dhe financimi i subvencionuar përmes huave nga Hungaria dhe linjat kreditore të BEI", thuhet në Parashikimin.

Në Dokumentin shtohet se eksporti dhe importi i Maqedonisë në gjysmën e parë të vitit 2025 regjistruan rezultate më të mira se ato që ishin parashikuar me Parashikimin pranveror të KE-së.

Sipas KE-së, megjithëse lidhjet tregtare të vendit me SHBA-në janë të kufizuara, kjo megjithatë është ekspozuar në mënyrë indirekte ndaj ndikimit të tarifave amerikane përmes eksportit të komponentëve automobilistike në Gjermani.

"Ndonëse parashikohet rritje e eksportit të ngadalësohet pas gjysmës së parë të fortë, ndërsa importi të rritet në mënyrë që të përmbushet kërkesa vendore, megjithatë pritet ulje e ndikimit negativ të shkëmbimit të jashtëm tregtar ndaj rritjes", konsideron KE-ja.

Në dokumentin shtohet se si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit, inflacioni ka filluar të rritet nga shtatori i vitit të kaluar

"Në vitin 2025, sfida kryesore për inflacionin ishin faktorët vendorë edhe atë, rritja e pagave dhe rritja kreditore, në vend të çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Kjo u

reflektua në rimëkëmbjen e inflacionit të përgjithshëm gjatë verës", shtohet në Parashikimin.

Në të parashikohet që inflacioni këtë vit do të jetë pak më i lartë se sa pritej më parë, por që do të arrijë qëllimin e inflacionit të Bankës Qendrore për normë inflacioni prej 2 për qind deri në vitin 2027.

“Banka qendrore ka ulur normën bazë të interesit në disa raste nga 6,3 në shtator të vitit 2024 në 5.35 për qind në shkurt të vitit 2025,” shtohet në tekstin.

Në Dokumentin vlerësohet se përkundër rritjes së qëndrueshme të punësimit në gjysmën e parë të vitit 2024 dhe uljes së papunësisë, veçanërisht tek gratë, joaktiviteti i popullatës së aftë për punë mbetet i lartë.

"Pagat nominale bruto u rritën për 12,9 për qind në vitin 2024, të nxitura nga pagat minimale më të larta, marrëveshjet kolektive dhe mungesat e punës në shumë sektorë, por rritja e pagave u qetësua disi në gjysmën e parë të vitit 2025. Në këtë kontekst, rritja e punësimit me siguri do të mbetet e heshtur derisa të zgjidhen sfidat kryesore strukturore, të tilla si oferta e ulët e tregut të punës", thuhet në Parashikimin.

Komisioni Evropian gjithashtu thekson se në nëntë muajt e parë të vitit ka pasur rritje të fortë të të ardhurave tatimore, ndërsa ribalanci i buxhetit në korrik të këtij viti gjithashtu rriti parashikimet për të ardhurat dhe shpenzimet, pa ndryshuar qëllimin e deficitit prej katër për qind të PBB-së.

"Të ardhurat u rregulluan nga një transferim i papaguar më parë i fitimeve të bankës qendrore ndaj Qeverisë. Shpenzimet u rritën për pensionet, pagat, mallrat dhe shërbimet. Investimet publike ishin të ulëta në tre tremujorët e parë të vitit 2025, kështu që mjetet e papërdorura mund të ridedikohen në shpenzimet rrjedhëse për të arritur qëllimin e deficitit të vitit 2025", shtohet në dokumentin.

Në të parashikohet që deficiti të ulet gradualisht gjatë dy viteve të ardhshme, si rezultat i rritjes më të kufizuar të pagave dhe pensioneve të sektorit publik, shpenzimeve të synuara sociale dhe rritjes së fuqishme të të ardhurave në përputhje me parashikimet e rritjes ekonomike.

Komisioni Evropian bën të ditur se Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete konsolidimi për të arritur qëllimin e deficitit prej 3 për qind të PBB-së deri në vitin 2027, si dhe se në dy vitet e ardhshme do të ketë nevojë për financim vjetor në nivelin prej 10 deri në 12 për qind të PBB-së, për shkak të maturimit të “shlyerjes së madhe” prej 700 milionë euro për eurobondin nga viti 2020, i cili maturohet në qershor të vitit 2026.

Si rreziqe të mundshme me të cilat mund të përballet ekonomia maqedonase në dy vitet e ardhshme, dokumenti tregon uljen e konsumit të amvisërive si rezultat i inflacionit ose shfaqjes së problemeve në zbatimin e projekteve të infrastrukturës, të cilat do të rezultonin në përfitime më pak pozitive për ekonominë vendore.

"Në të kundërtën, përfundimi i shpejtë i reformave strukturore, siç është rënë dakord në kuadër të Planit të rritjes me BE-në, do të përmirësonte perspektivat për produktivitet dhe rritje", konkludohet në Parashikimin ekonomik të vjeshtës 2025 të Komisionit Evropian, në pjesën për vendin. ls/

Foto: printskrin/MIA

Остани поврзан