Para deputetëve muajin e ardhshëm ligj që do të pengojë ndërtimin e një garazhi në kate prapa Kuvendit, paralajmëron Gashi
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot në brifingun me gazetarë informoi se është thuajse gati ligji special që do të ndalojë ndërtimin e një garazhi në kate në hapësirë afariste në lokacionin prapa Kuvendit. Me ligjin e veçantë pritet që zona përreth Parlamentit të shpallet si zonë sigurie.

Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot në brifingun me gazetarë informoi se është thuajse gati ligji special që do të ndalojë ndërtimin e një garazhi në kate në hapësirë afariste në lokacionin prapa Kuvendit. Me ligjin e veçantë pritet që zona përreth Parlamentit të shpallet si zonë sigurie.
“Vëmendje më e madhe në përgatitjen e ligjit i është kushtuar mënyrës se si do të kompensohet pronari i tokës, sepse bëhet fjalë për pronë private dhe ligji duhet të jetë konform me Kushtetutën”, ka thënë Gashi.
Ai paralajmëroi se gjatë muajit shkurt ligjin do ta dërgojë për shqyrtim para deputetëve, ndërsa shpejtësia e miratimit të tij, siç tha, do të varet nga grupet parlamentare. Nuk ka saktësuar nëse parashikohet nacionalizim apo shpronësim të tokës dhe as nëse kanë një vlerësim se sa do të kushtojë kompensimi për pronarin.
"Menjëherë pasi filloi punën kjo përbërje e Kuvendit, kam formuar grup pune ku janë përfaqësues të të gjitha institucioneve kompetente, për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm. Fatkeqësisht, toka pas Parlamentit iu shit një subjekti privat që donte të ndërtonte një garazh në kate. Tre ditë pas zgjedhjes sime në krye të Kuvendit, tashmë kanë ardhur ekskavatorët. Puna ishte serioze. Në grupin e punës erdhëm te një zgjidhje ligjore e cila është 99 për qind e përfunduar ku zona përreth objektit të Kuvendit do të shpallet zonës e sigurisë. Kështu janë sugjerimet e shërbimeve të sigurisë dhe kështu do të zgjidhet problemi", ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se kjo çështje është me interes shtetëror që ky ligj madje të votohet nga të gjithë deputetët.
"Ky është interes shtetëror i të gjithë qytetarëve dhe duam që këtë ligj ta votojnë të gjithë deputetët. Ligjin do ta promovojmë kur të jetë plotësisht gati, sepse mund të ketë edhe propozime të tjera nga grupet parlamentare. Por, ne si grup punues dhe si institucion kemi dashur të propozojmë një zgjidhje afatgjatë dhe përmbajtjesore", ka thënë Gashi.
Foto: arkivi i MIA-s