• сабота, 21 февруари 2026

Panair i turizmit në Shkup kushtuar amvisërive rurale në Maqedoninë e Veriut

Panair i turizmit në Shkup kushtuar amvisërive rurale në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 21 janar 2026 (MIA) – Panair i turizmit në fokus të të cilit do të jenë amvisëritë rurale dhe bizneset në Maqedoninë e Veriut do të mbahet më 31 janar dhe 1 shkurt në Shkup. Siç paralajmërojnë organizatorët, Panairi do t’i bashkojë në një vend historitë më autentike rurale nga e gjithë Maqedonia, ndërsa qëllimi është të afrohet turizmi rural dhe me përvojë më afër publikut më të gjerë, por edhe që të tregohet se udhëtimi nuk është vetëm destinacion, por edhe përjetim, lidhje dhe pjesëmarrje në përditshmërinë e jetës në fshat. 

Në Panair do të prezantohen amvisëri të vogla rurale me kapacitet deri 20 shtretër, bodrume autentike familjare të verës me mundësi për shijime grupore dhe individuale, shërbime restorante dhe akomodim, si dhe biznese bujqësore dhe rurale të cilat ofrojnë paqe, bukuri natyrore dhe mikpritje të ngrohtë fshatare. 

Është paraparë program i pasur i dedikuar për vizitorë vendorë dhe të huaj, profesionistë turistikë, familje dhe për të gjithë të dashamirët e përjetimeve autentike rurale. 

Gjatë Panairit, të gjithë vizitorët do të marrin një kupon me zbritje prej 15 për qind si për produktet ashtu edhe për shërbimet e ofruara nga amvisëritë rurale. Përveç zbritjeve, vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë produkte organike, verëra, raki, specialitete tradicionale dhe produkte shtëpiake nga rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, direkt nga njerëzit që i kultivojnë, prodhojnë dhe krijojnë ato.

Programi i panairit është i pasur me performanca muzikore dhe stend-ap, si dhe kënde për fëmijë. 

Në kuadër të Panairit do të jenë në dispozicion informacione të hollësishme për aktivitete të organizuara në amvisëritë rurale, ngjarje në natyrë për grupe dhe individë, pakove gastronomike dhe të verërave, punëtori origjinale për fëmijë dhe të rritur.  

Panairi për turizëm – amvisëri në mjedise rurale është organizuar nga Dhoma Publike Shkup, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Instituti Bujqësor – Shkup, Ambasada e Republikës së Sllovenisë dhe Programi zviceran për rritje të punësimit në treg – IME. fc/

Foto: Fejsbuku i Dhomës Publike

 

Остани поврзан