• петок, 05 декември 2025

Orce Gjorgjievski kryetari i ri i Shkupit

Orce Gjorgjievski kryetari i ri i Shkupit

Shkup, 3 nëntor 2025 (MIA) - Orce Gjorgjievski është kryetari i ri i Qytetit të Shkupit pasi fitoi në Zgjedhjet lokale 2025 si kandidat i VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit "Maqedonia juaj". Ai do të marrë funksionin e kryetarit të kryeqytetit, i cili do t’i jepet pas marrjes së çertifikatës nga KSHZ, pas përfundimit të mandatit katërvjeçar si kryetar i komunës së Kisella Vodës (nga 17 tetori i vitit 2021) dhe me përvojën si kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL). 

Gjorgjievski është i lindur më 5 gusht të vitit 1987 në Shkup. I diplomuar në degën e studimeve politike në Fakultetin e Drejtësisë "Justiniani I" në Universitetin e Shkupit dhe ka magjistraturën në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Ka punuar në sektorin privat, ndërsa para se të bëhet kryetar i Komunës së Kisella Vodës, Gjorgjievski nga vitin 2017-2021 ishte këshilltarë i VMRO-DPMNE-së në Këshillin e asaj komune. 

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për rrethin e dytë të zgjedhjeve në Shkup, Orce Gjorgjievski ka marrë 95.572 vota ose 57,03 për qind, ndërsa kundërkandidati i tij nga E Majta, Amar Mecinoviq, ka marrë mbështetjen nga 61.475 votues ose 36,69 për qind. 

Në fushatën për zgjedhjet, Gjorgjevski u paraqit nën sloganin "Së pari njeri, pastaj kryetar komune", dhe në konferencën e parë për mediat pas fillimit të saj, më 29 shtator, prezantoi programin "Vizion për Shkupin 2025-2045", pas të cilit, tha ai, qëndron ekipi i tij i bashkëpunëtorëve të specializuar.

Programi bazohet në shtatë shtylla kryesore, siç tha ai, "themelet e ardhmërisë së qytetit tonë", me të cilat "fillon epoka urbane që do ta transformojë Shkupin në një metropol europian": 1. Zhvillim urban i qëndrueshëm në 20 vitet e ardhshme; 2. Mjedis i shëndetshëm jetësor; 3. Rinovim të plotë komunal të qytetit; 4. Rikthimi i identitetit kulturor të Shkupit; 5. Transformimi digjital dhe zgjidhje inteligjente; 6. Shkupi – qytet i të rinjve dhe shkencës; dhe 7. Forcimi i kujdesit publik dhe sigurisë. Siç tha ai, nga këto shtylla do të dalin qindra projekte, "pothuajse nga një për çdo ditë të vitit".

Ai theksoi se prioritet i tij është humanizimi i kryeqytetit, sepse, siç tha ai, në këtë moment nuk mund të flasë për një Luna Park kur Shkupi është në kaos dhe në kushte johumane, dhe qytetarët e saj po mbyten në deponitë që i ka në çdo lagje. Dhe për këtë arsye, siç tha atëherë, gjëja e parë që do të bëjë kur të bëhet kryetar, do të jetë pastrimi i tij dhe "për 72 orë, në një aksion të madh të koordinuar me të gjitha komunat, kryeqyteti do të pastrohet nga mbeturinat". qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан