• четврток, 26 декември 2024

Orë policore në Homs, 14 policë sirianë të vrarë në Tartus

Orë policore në Homs, 14 policë sirianë të vrarë në Tartus

Damask, 26 dhjetor 2024 (MIA) - Katërmbëdhjetë pjesëtarë të policisë siriane janë vrarë gjatë përleshjeve me forcat besnike të ish-presidentit Bashar al-Asad në provincën Tartus, kumtoi sot administrata teknike.

Ministri i ri i Punëve të Brendshme i Sirisë njoftoi në Telegram se 10 policë ishin plagosur gjithashtu nga, siç i quajti "mbetjet" e qeverisë së Asadit në Tartus.

Ai shtoi se do të përballet me këdo që guxon të minojë sigurinë e Sirisë ose të rrezikojë jetën e qytetarëve të saj. Policia siriane vendosi orë policore gjatë natës në qytetin e Homsit, publikuan mediat shtetërore, pas trazirave të lidhura me protestat që banorët ia atribuonin anëtarëve të komuniteteve fetare pakicë.

Disa banorë i kanë lidhur demonstratat me presionin dhe dhunën e drejtuar ditët e fundit kundër anëtarëve të pakicës alavite, një sekt i konsideruar besnik ndaj ish-presidentit Bashar al-Asad, i cili u rrëzua nga kryengritësit islamikë sunitë më 8 dhjetor.

Demonstrata më të vogla u mbajtën gjithashtu në zona të tjera pranë bregdetit sirian, ku jeton pjesë më e madhe e pakicës alavite të vendit, duke përfshirë qytetin Tartus. Demonstratat u zhvilluan rreth kohës kur në rrjetet sociale filluan të qarkullonin video incizime të një zjarri në një foltore alavite në qytetin Alepo, ku burra të armatosur hynin dhe pozonin pranë trupave të njerëzve.

Ministria e Punëve të Brendshme në profilin e saj në Telegram publikoi se videoja është nga ofensiva kryengritëse e Alepos në funt të nëntorit, ndërsa dhuna është kryer nga grupe të panjohura. 

Gjithashtu, publikoi se disa anëtarë të ish regjimit sulmuan forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rajonin bregdetar të Sirisë të mërkurën dhe se sulmi rezultoi me disa viktima dhe të plagosur. ls/

Остани поврзан