• сабота, 22 февруари 2025

Në Toksikologji nuk ka pacientë që kanë ndjekur sfidën e "Tiktok"-ut me paracetamol

Në Toksikologji nuk ka pacientë që kanë ndjekur sfidën e

Shkup, 10 shkurt 2025 (MIA) - Në Klinikën universitare për toksikologji në Shkup deri tani nuk është raportuar rast në të cilin një pacient ka ndjekur trendin në rrjetin social "Tiktok" duke marrë doza të mëdha të “paracetamolit”. Informacionin për MIA-n sot e ka konfirmuar drejtori Andon Çibishev i cili edhe vet ka alarmuar për kujdes në lidhje me këtë sfidë.

"Rreziku i ri po kërcënon fëmijët tanë. Eksperimenti me 'paracetamolin' është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të mbarojë me dëmtim të rëndë të pakthyeshëm të mëlçisë ose vdekje. Doza toksike është 5 deri 15 gram ose 10 deri 30 tableta nga 500 miligram ose doza vdekjeprurëse është 20-25 gramë", ka shkruar Çibishev në "Fejsbuk". 

Ai sqaroi se helmimi ndodh për shkak të lodhjes së sistemit metabolik të mëlçisë, efektit të fortë hepatotoksik i N-acetilmidokinonit - një përbërës i paracetamolit i cili shkakton nekrozë ose prishje të hepatociteve, qelizave që përbëjnë mëlçinë.

"Pason i ashtuquajturi hepatit toksik i cili ka një pasqyrë klinike jashtëzakonisht të rëndë, të shoqëruar me gjakderdhje masive të brendshme, përfshirje të rëndë të sistemit nervor qendror - encefalopati dhe insuficiencë renale akute. U bëjë thirrje institucioneve kompetente me kujdes ta ndjekin gjendjen", apeloi drejtori i Toksikologjisë. 

Për pasojat fatale që mund të ketë sfida, është pajtuar edhe mjeku Niko Beqarovski nga e njëjta klinikë. 

"Që nga fillimi i këtij viti në platformën 'Tiktok' po qarkullon një sfidë e re shumë e rrezikshme mes të rinjve: marrja e dozave të mëdha të “paracetamolit”. Të nderuar, sado që tingëllon çuditshëm, helmimi me 'paracetamol' është ndër helmimet më vdekjeprurëse me barna. Edhe dozat më të vogla 10-15 tableta shkaktojnë dëmtimin e mëlçisë. 20-40 tableta shkaktojnë helmim serioz dhe dëmtimin e mëlçisë, ndërsa helmimi me mbi 50 tableta shumë shpesh përfundon me vdekje dhe me trajtim intensiv", nënvizoi Beqarovski. 

Ai shtoi se çdo vit, 30 deri 50 për qind nga transplantet akute të mëlçisë në SHBA dhe Evropë bëhen për shkak të helmimit me këtë ilaç.

"Prandaj, kontrolloni fëmijët tuaj, para se të na ndodhë kjo tragjedi", shtoi Beqarovski. 

Nëse megjithatë ndodh helmimi, ndërsa nuk kanë kaluar 2-4 orë, Beqarovski këshillon që menjëherë të jepen 10 tableta karbon mjekësor dhe ACC - 2 paketa dhe të kërkohet ndihmë mjekësore. "Sekondat ndonjëherë do të thonë shpëtim ose humbje të një jete të re", potencoi Beqarovski në "Fejsbuk". 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve, tha se nuk ka informacion për pacientë nga sfida e "Tiktokut" të rinjë që konsumojnë nga pesë - gjashtë paracetamol të paraqitur në Klinikën e Toksikologjisë. 

"Për herë të parë po dëgjojë për këtë informacion, sepse sinqerisht nuk përdor "Tiktok", u përgjigj ai në pyetjen e gazetarëve. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан