• петок, 05 декември 2025

Në Kuvend debat për amendamentet për Buxhetin për vitin 2026

Në Kuvend debat për amendamentet për Buxhetin për vitin 2026

Shkup, 18 nëntor 2025 (MIA) – Komisioni për Financim dhe Buxhet sot pasdite e filloi debatin për amendamentet për Propozim-Buxhetin për vitin 2026. Siç informoi zëvendëskryetarja e Komisionit Jovanka Trençevska për Propozim-buxhetin për vitin 2026 janë parashtruar 203 amendamente nga propozues të autorizuar. 

Në fillim të seancës, u refuzuan tre amendamente të propozuara nga deputetët e grupit parlamentar të BDI-së për rritjen e mjeteve për një numër më të madh të të punësuarve nga bashkësitë jo-shumicë në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit dhe në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe për punën operative të Komisionit. Amendamentet nuk u pranuan nga përfaqësuesi i Qeverisë, zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski dhe nuk u votuan nga anëtarët e Komisionit për Financim.

Deputetët e LSDM-së me amendament kërkuan rritje prej 14 milionë denarë të Buxhetit për Agjencinë Teknike Operative për kuadër shtesë. Oliver Spasovski nga LSDM tha se nëse nuk shtohet kuadri në ATO do të kufizohen aktivitetet e saj, ndërsa gjatë kësaj theksoi se arsye shtesë për amendamentin është edhe Raporti i Komisionit Evropian. 

Zëvendësministri i Financave, Jankullovski tha se pas konsultimeve të bëra amendamenti ka mundësi që pjesërisht të pranohet dhe buxheti për punësim në ATO të rritet për pesë milionë denarë, që ishte e pranueshme nga propozuesit, deputetët e LSDM-së. 

Ata gjithashtu me amendament kërkuan rritje të mjeteve edhe për infrastrukturë të ATO, por ai nuk ishte pranuar nga përfaqësuesi i Qeverisë. 

Deputetët e LSDM-së kërkuan ripërdorimin e mjeteve për subvencione sportive prej 300 milionë denarësh për të rritur buxhetin për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe për zonat industriale. Amendamenti nuk u pranua, ndërsa zëvendësministri i Financave theksoi se paratë për investime të huaja krahasuar me vitin 2025 janë rritur për një miliard denarë.

Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE tha se deputetët e LSDM-së kishin kërkuar që paratë për subvencionet sportive të shkurtoheshin, duke deklaruar në amendament se ato ishin "transferta të shpërndara dhe me vlerë të ulët", ndërsa kolegia e tij Dafina Stojanovska tha se ishin të tronditur nga ky amendament nga deputetët e LSDM-së sepse kemi sportistë që duhet të mbështeten dhe të përfaqësojnë shtetin. Stojanovska tha se duhet të rrisim paratë për sportistët dhe sa shumë po mundohen klubet dhe sportistët individualë.

Gjatë debatit të përgjithshëm, i cili përfundoi dje, deputetët e shumicës qeverisëse shprehën pikëpamjet e tyre se buxheti i propozuar është real dhe  zhvillimor me tregues të bazuar në përmirësimin e rritjes ekonomike dhe zbatimin e fortë të projekteve dhe të ardhurave. Sipas tyre, zbatimi i buxhetit të propozuar do të përmbushë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, pasi sigurohen më shumë mjete për paga më të larta, pensione, shkolla të reja, kopshte, zhvillim të infrastrukturës, digjitalizim dhe investime kapitale.

Përkundër tyre, deputetët opozitarë vlerësojnë se buxheti i propozuar është joreal, jozhvillimor dhe social dhe nuk do ta përmirësojë standardin e qytetarëve dhe shërbimeve të shtetit. Kritikuan edhe se do të rritet borxhi publik dhe se janë ulur investimet kapitale. 

Me Propozim-buxhetin për vitin 2026,  Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind nga PBB.

Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. fc/

Foto: Printskrin

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Остани поврзан