• сабота, 06 декември 2025

Në Gjenevë nisin negociatat për planin amerikan paqësor për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Në Gjenevë nisin negociatat për planin amerikan paqësor për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Gjenevë, 23 nëntor 2025 (MIA) – Përfaqësues të lartë të SHBA-së dhe Ukrainës, si dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, do të diskutojnë sot në Gjenevë të Zvicrës për planin paqësor të presidentit amerikan Donald Tramp për Ukrainën.

I dërguari i posaçëm i sapoemëruar për promovimin e planit paqësor për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, Daniel P. Driskoll, ka mbërritur tashmë në Gjenevë, dhe pritet të mbërrijnë edhe i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof dhe sekretari shtetëror Marko Rubio. 

Në Gjeneve do të marrë pjesë delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga kreu i administratës presidenciale, Andrij Jermak. Gjithashtu do të marrin pjesë Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rusten Umerov, kreu i Drejtorisë kryesore të inteligjencës (GUR) të Ministrisë së Mbrojtjes, Kirill Budanov, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Andrij Gnatov, dhe përfaqësues të tjerë të lartë.

Trampi dy ditë më parë deklaroi se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka afat deri më 27 nëntor për të miratuar planin me 28 pika. Por, Tramdpi dje duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari theksoi se plani i tij i paqes për Ukrainën nuk është përfundimtar.

"Do të donim të bënim paqe, jhi duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Lufta në Ukrainë me Rusinë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Nëse do të isha president, nuk do të kishte ndodhur kurrë. Po përpiqemi ta përfundojmë. Në një mënyrë ose në një tjetër, duhet ta përfundojmë", theksoi Tramp.

Liderët evropianë dhe të tjerë perëndimorë po përgatisin një përgjigje të koordinuar ndaj planit paqësor të Trampit. 

Presidenti francez Emanuel Makron deklaroi dje se plani i Trampit është një bazë e mirë për punë, por se marrëveshja varet nga vendet evropiane dhe NATO.

Plani i paqes i Trampit për Ukrainën përmban 28 pika. Ukraina ka shprehur shqetësim sepse plani përfshin disa kërkesa kyçe ruse: që Ukraina të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj, të zvogëlojë ushtrinë e saj dhe të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO. Rusia do të mbante Doneckun, Luganskun dhe Krimenë, por do të duhej të hiqte dorë nga territoret e tjera të pushtuara.

Ukraina pritet të marrë garanci sigurie nga Perëndimi për të parandaluar sulme të mëtejshme ruse.

Plani parashikon gjithashtu një pakomasive globale masash për të ndihmuar Ukrainën të fillojë menjëherë rindërtimin e vendit të shkatërruar, duke përfshirë krijimin e një Fondi ukrainas për zhvillim, i cili do të investonte në industri me rritje të shpejtë, teknologji, qendra të të dhënave dhe inteligjencë artificiale.

Më parë, Zelenski, duke komentuar planin paqësor, paralajmëroi se Ukraina "ose do të humbasë dinjitetin e saj ose do të rrezikojë të humbasë një partner të madh".

Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se Moska e ka marrë planin amerikan dhe se ai mund të jetë baza për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Putini vuri në dukje se Ukraina është kundër planit, por as Kievi dhe as fuqitë evropiane nuk e kuptojnë realitetin se forcat ruse po përparojnë në Ukrainë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë nëse nuk ka paqe.

Liderët e Tetëshës nordike-baltike (NB8) dje pas bisedës me Zelenskin publikuan një kumtesë të përbashkët në të cilën theksohet se "Rusia ende nuk është zotuar për një armëpushim ose ndonjë hap që çon në paqe".

NB8 është një format bashkëpunimi rajonal, i cili përfshin Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Islandën, Letoninë, Lituaninë, Norvegjinë dhe Suedinë. ls/

Foto: EPA

 

 

Остани поврзан