• петок, 05 декември 2025

Në Azi mbi 1.000 viktima nga stuhia tropikale

Në Azi mbi 1.000 viktima nga stuhia tropikale

Palembajan, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Ekipet e shpëtimit nga Indonezia, Tajlanda, Malajzia dhe Sri Lanka bëjnë përpjekje të mëdha për t'i pastruar rrugët dhe të dërgojnë ndihmë humanitare deri te popullata e goditur nga stuhia tropikale që mori më shumë se 1.000 jetë në Azinë Juglindore dhe Jugore.

Indonezia, Malajzia dhe Tajlanda janë goditur nga stuhia e rallë tropikale, e formuar në Ngushticën Malaka, e cila ka sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta për një javë, duke penguar përpjekjet për të arritur deri te njerëzit e bllokuar nga rrëshqitjet e dheut dhe ujërat e larta nga përmbytjet.

Të paktën 176 persona kanë vdekur në Tajlandë, tre në Malajzi, ndërsa numri i të vdekurve në Indonezi sot u rrit në 502, ndërsa 508 persona konsiderohen të zhdukur, sipas të dhënave zyrtare.

Në provincën indoneziane Sumatra Perëndimore, qindra banorë sot po pastronin baltën, pemët dhe mbeturinat nga rrugët, ndërsa disa u përpoqën të shpëtonin sende me vlerë si dokumente dhe motoçikleta nga shtëpitë e shkatërruara.

Agjencia për menaxhim me fatkeqësi njoftoi se më shumë se 28.000 shtëpi në Indonezi janë dëmtuar, ndërsa rreth 1,4 milion njerëz janë prekur.

Në Tajlandë numri i viktimave sot është rritur në 176 nga përmbytjet që kanë përfshirë tetë krahina jugore, duke i goditur rreth tre milionë njerëz.

Në Malajzinë fqinje, 11.600 persona ende gjenden në qendrat për evakuim, sipas agjencisë kombëtare për katastrofa, e cila mbetet në gjendje gatishmërie për valën e dytë dhe të tretë të përmbytjeve.

Në Sri Lankë numri i viktimave u rrit në 355, ndërsa ende po kërkohen 366 persona, tregojnë të dhënat zyrtare.

Cikloni gjatë fundjavës solli shira të rrëmbyeshëm edhe në shtetin jugor indian Tamil Nadu, ku humbën jetën tre persona, deklaroi K. K. S. S. R. Ramaçandran, ministri shtetëror për menaxhim me katastrofa.

Meteorologët deklaruan se stuhia, tani 50 kilometra larg bregdetit të Çenait, kryeqytet i Tamil Nadu, u dobësua në një "depresion të thellë" dhe moti pritet të stabilizohet në 12 orët e ardhshme. bsh/

Foto: EPA

Остани поврзан