Nxënës dhe mësimdhënës nga Shkupi dhe Taranto në vizitë të Kuvendit
- "Të ftuarit e rinj u njoftuan me punën dhe përgjegjësitë e Komisionit nga kryetarja e tij, Zhaklina Peshevska, e cila u uroi mirëseardhjen dhe theksoi se edukimi për mundësi të barabarta dhe barazi midis meshkujve dhe femrave fillon që në moshë të vogël", qëndron në kumtesë.
Shkup, 5 nëntor 2025 (MIA) - Nxënës dhe mësimdhënës nga Gjimnazi SHMQSH "Rade Jovçevski Korçagin" nga Shkupi dhe "Principessa Maria Pia" nga Taranto, Itali, vizituan sot Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u takuan me deputete nga Komisioni për Mundësi të Barabarta për Femrat dhe Meshkujt dhe Klubi i deputeteve.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit midis dy shkollave përmes programit Erasmus+, si pjesë e projektit të përbashkët "Barazia gjinore dhe roli i femrave në shoqëri në kultura të ndryshme".
"Të ftuarit e rinj u njoftuan me punën dhe përgjegjësitë e Komisionit nga kryetarja e tij, Zhaklina Peshevska, e cila u uroi mirëseardhjen dhe theksoi se edukimi për mundësi të barabarta dhe barazi midis meshkujve dhe femrave fillon që në moshë të vogël. Në diskutim morën pjesë deputetet Velika Stojkova-Serafimovska dhe Monika Zajkova", qëndron në kumtesë.

Deputetja Stojkova-Serafimovska foli për rëndësinë e bashkëpunimit midis femrave me prejardhje të ndryshme kulturore dhe etnike në shoqëritë multietnike, siç është e jona. Ajo theksoi se mirëkuptimi dhe mbështetja e ndërsjellë janë çelësi për krijimin e një komuniteti gjithëpërfshirës dhe të drejtë.
Deputetja Zajkova trajtoi përfaqësimin e grave në politikë, sfidat me të cilat përballen gratë në jetën publike, si dhe çështjet që lidhen me femicidin dhe nevojën për mbështetje të vazhdueshme institucionale për barazinë gjinore.
"Nxënësit bënë pyetje dhe hapën diskutim të frytshëm mbi rolin e femrave në demokracitë moderne. Deputetet ndanë përvoja personale dhe shembuj nga puna e tyre, duke i inkurajuar të rinjtë të jenë qytetarë aktivë dhe mbështetës të mundësive të barabarta", theksohet në kumtesën.
Vizita përfundoi me një tur të organizuar në ndërtesën e Parlamentit, gjatë të cilit të ftuarit u njohën me historinë dhe funksionimin e dhomës më të lartë përfaqësuese. Ky takim është një tjetër shembull i rëndësisë së bashkëpunimit arsimor dhe shkëmbimit të të rinjve në promovimin e vlerave demokratike, midis dialogut kulturor dhe barazisë gjinore. ls/
Foto: Kuvend