• четврток, 26 март 2026

Një komitet i Kongresit amerikan i bëri thirrje Pam Bondit të dëshmojë në lidhje me trajtimin e dosjeve të Epstinit

Një komitet i Kongresit amerikan i bëri thirrje Pam Bondit të dëshmojë në lidhje me trajtimin e dosjeve të Epstinit

Uashington, 5 mars 2026 (MIA) – Komiteti i Dhomës Përfaqësuese të SHBA-së votoi të thërrasë prokuroren kryesore Pam Bondi për t’u intervistuar lidhur me publikimin e dosjeve që lidhen me hetimin e predadorit seksual dhe financierit Xhefri Epstin, njoftuan mbrëmë mediat amerikane.

Trajtimi i miliona dokumenteve që lidhen me rastin Epstin ka tërhequr kritika në muajt e fundit, njoftoi DPA, duke shtuar se kritikët thonë se viktimat nuk ishin të mbrojtura në mënyrë të mjaftueshme dhe se disa dosje të ndjeshme u hoqën më vonë nga opinioni.

Vendimi i komitetit e detyron Bondin të paraqitet në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura dhe t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton dhe ish-sekretarja shtetërore Hillari Klinton, u morën gjithashtu në pyetje së fundmi nga komiteti, kujton DPA.

Bondi e mbrojti trajtimin e dosjeve që në shkurt, por gjithashtu pranoi gabimet, duke thënë se emrat e disa viktimave u botuan aksidentalisht përpara se të fshiheshin pasi problemi u sinjalizua.

Ministria amerikane e Drejtësisë filloi publikimin e dosjeve hetimore që lidhen me Epstinin në mesin e dhjetorit. Mediat, kryesisht amerikane, raportuan se dhjetëra mijëra dokumente u hoqën më vonë nga interneti, transmeton DPA.

Analizat e "Uollstrit zhurnall" dhe "Si-Bi-Es njuz" zbuluan se deri në fund të shkurtit, më shumë se 47.000 skedarë ishin hequr, gjoja se vetëm përkohësisht.

Disa nga dokumentet e tërhequra përfshijnë shënime nga një intervistë e vitit 2019 e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) me një grua e cila tha se ishte abuzuar nga Epstin kur ishte minorene në vitet 1980, dhe gjithashtu bëri akuza për ngacmim seksual kundër presidentit amerikan, Donald Tramp. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан