Një delegacion i Kuvendit në Takimin e 24-t të KPP-RMV dhe BE në Strasburg
- Një delegacion i Kuvendit, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Takimin e 24-t të rregullt të Komitetit të Përbashkët Parlamentar - Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian, gjegjësisht Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asocim, i cili do të mbahet në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë.
Shkup, 26 nëntor 2025 (MIA) - Një delegacion i Kuvendit, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Takimin e 24-t të rregullt të Komitetit të Përbashkët Parlamentar - Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian, gjegjësisht Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asocim, i cili do të mbahet në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë.
Në takim do të marrin pjesë Ivanka Vasilevska, shefe e delegacionit, Zhaklina Peshevska dhe Sonja Mirakovska, zëvendëskryetare, anëtaret Arbana Pasholli, Saranda Imeri-Stafai dhe Sllavjanka Petrovska, si dhe zëvendësanëtari Lupço Prenxhov.
"Takimi do të hapet nga bashkëkryesuesit e Komitetit të Përbashkët Parlamentar - deputetja Ivanka Vasilevska dhe eurodeputeti Karlo Resler, dhe më pas diskutimi do të vazhdojë mbi më shumë tema, siç janë: Të drejtat themelore dhe liria e fjalës; Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit; Perspektivat e negociatave të aderimit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi rajonal dhe stabiliteti rajonal. Pjesëmarrësit në takim do të diskutojnë edhe për çështjet në lidhje me mjedisin jetësor, transportin, energjinë dhe lidhshmërinë infrastrukturore, inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin", njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit.
Në pjesën e shkëmbimit të mendimeve, fjalime do të mbajnë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.
Dita e dytë e takimit duhet të përfundojë me miratimin e konkluzioneve përkatëse në lidhje me temat për diskutim.
Komiteti i Përbashkët Parlamentar, në punën e të cilit marrin pjesë së bashku deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe deputetët e Parlamentit Evropian, është një forum unik i këtij lloji për dialog të drejtpërdrejtë parlamentar dhe bashkëpunim intensiv. Ky shkëmbim zhvillohet përmes takimeve të rregullta që mbahen një herë në vit në Shkup, një herë në Bruksel ose Strasburg, varësisht nga vendi ku kryeson Parlamenti Evropian. fc/
Foto: MIA arkiv