• петок, 05 декември 2025

Nis aplikimi për vauçerët elektronikë për studentët përmes Portalit Kombëtar për e-shërbime

Nis aplikimi për vauçerët elektronikë për studentët përmes Portalit Kombëtar për e-shërbime

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Nga sot është hapur Thirrja Publike për ndarjen e vauçerëve me vlerë për studentët për blerjen e pajisjeve elektronike, e cila realizohet përmes Portalit Kombëtar për e-shërbime – uslugi.gov.mk, informon Ministria për Transformim Digjital.

Të gjithë studentët mund të aplikojnë më së voni deri më 20 dhjetor 2025, ndërsa realizimi i vauçerëve, përkatësisht tërheqja e pajisjeve, mund të bëhet deri më 31 dhjetor 2025. Nga Ministria për Transformim Digjital sqarojnë se për stude ntët të cilët janë në evidencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës gjatë aplikimit nuk është e nevojshme të bashkangjisë asnjë dokument.

"Hapat për aplikim për studentët që janë në evidencën e MASh-it (Linku i shërbimit: https://uslugi.gov.mk/service-details.nspx?serviceId=5980). Studenti kyçet në uslugi.gov.mk dhe paraqet aplikimin për shërbimin 'Thirrje publike për ndarjen e vauçerit me vlerë për studentët për blerjen e pajisjeve elektronike'. Gjatë procesit të aplikimit nuk është e nevojshme ngarkimi i dokumenteve. Pas dorëzimit të suksesshëm, sistemi gjeneron një dokument – Vauçer me vlerë. Me vauçerin e marrë, dokument identifikimi dhe nënshkrimin e Deklaratës për shfrytëzimin e vauçerit (në sallonin e shitjes së operatorit ekonomik), studenti mund ta tërheqë pajisjen elektronike nga operatori ekonomik i zgjedhur, më së voni deri më 31.12.2025", informojnë nga Ministria për Transformim Digjital. 

Ata, gjithashtu, sqarojnë edhe procesin e aplikimit për studentët të cilët nuk janë në evidencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 

"Nëse gjatë aplikimit sistemi konstaton se studenti nuk është në evidencën e MASh-it, ai automatikisht merr një njoftim dhe një link drejt shërbimit të veçantë: 'Thirrje publike për ndarjen e vauçerit me vlerë për blerjen e pajisjes elektronike për studentët që nuk janë në evidencën e MASh-it', ku duhet të vazhdojë me aplikimin deri më 20.12.2025. Në këtë rast, studenti duhet të ngarkojë një vërtetim që dëshmon se është student i rregullt/ çregullt, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë ku është i regjistruar.
Pas përfundimit të suksesshëm të aplikimit, sistemi gjeneron Vauçerin me vlerë. Me vauçerin, dokument identifikimi dhe Deklaratën e nënshkruar për shfrytëzimin e vauçerit, studenti mund ta tërheqë pajisjen elektronike nga operatori ekonomik i zgjedhur më së voni deri më 31.12.2025", thuhet në njoftim. 

Ministria për Tranformimin Digjital inkurajon të gjithë studentët të aplikojnë me kohë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi përmes Portalit Kombëtar për e-shërbime. qa/

Foto: ilustrim

 

 

Остани поврзан