• петок, 18 октомври 2024

Nga projekti qeveritar “100 milionë euro për komunat”, Dibra merr 700 mijë euro

Nga projekti qeveritar “100 milionë euro për komunat”, Dibra merr 700 mijë euro

Dibër, 17 tetor 2024 (MIA) - Nga projekti "100 milionë euro për komunat”, komuna e Dibrës ka marrë mbështetje prej 700 mijë euro për realizimin e projekteve infrastrukturore, informon për MIA-n kryetari i komunës, Hekuran Duka.

"Kemi dorëzuar katër aplikime në thirrjen për ndarje të mjeteve përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet, gjegjësisht rindërtimin e plotë të tri rrugëve lokale në qytet dhe ndërtimin e ujësjellësit në fshatin më të madh të komunës sonë, fshatin Mogorçë. Tre projekte janë miratuar plotësisht, ndërsa një është me bashkëfinancim", ka thënë Duka.

Ai sqaron se është marrë mbështetje e plotë për rikonstruimin e rrugës "Migjeni" (ish JNA), rruga "Petrit Bomova" (Zdravko Çoçkovski), si dhe ndërtimi i ujësjellësit për fshatin Mogorçë, ku jetojnë mbi dy mijë banorë. Rikonstruimi i plotë i rrugës “Sabri Karameti” (ish Petre Popovski) do të realizohet me bashkëfinancim.

"Ndërkohë vazhdojmë me realizimin e projekteve që janë në interes të banorëve. Pas rikonstruimit të disa rrugëve në qytet, rregullimit të plotë të parkut në vendbanimin urban “Venec eden”, projekteve tjera në disa vendbanime rurale, punimet në rrugën kryesore në vendbanimin “Konjare e Re” vazhdojnë sipas dinamikës së planifikuar. Bëhet fjalë për ndërtimin e një kanalizimi atmosferik që po ndodh për herë të parë, rikonstruimi i kanalizimit fekal, më pas tamponimi i rrugëve, vendosja e bordurave dhe asfaltimi", thekson ai.

Ky projekt realizohet me mjete nga Byroja për zhvillim rajonal me bashkëfinancim nga komuna, ndërsa investimi i përgjithshëm kap vlerën 8,4 milionë denarë.

Sipas Dukës, banorët e komunës meritojnë edhe më shumë, ndaj si pushtet lokal do të vazhdojnë të sigurojnë mjete për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe projekte të tjera.

Foto: MIA

 

Остани поврзан