• недела, 11 јануари 2026

Nevzat Bejta nga Çegrani paralajmëroi fitore në zgjedhjet e 11 janarit

Nevzat Bejta nga Çegrani paralajmëroi fitore në zgjedhjet e 11 janarit

Gostivar, 8 janar 2026 (MIA) – Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, kandidati për kryetar të Komunës Gostivar, Nevzat Bejta realizoi shumë takime me banorët e vendbanimeve në pjesën lindore të komunës. 

Kandidati i cili mbështetet nga Koalicioni VLEN u takua me banorët e fshatit Çegran nga të cilët dëgjoi kërkesat e tyre dhe pritjet nga pushteti i ri. 

“Kur isha në krye të komunës, premtova dhe realizova dhe banorët e Çegranit janë mirënjohës për asfaltimin e rrugës Çegran-Tumçevishtë, për rinovimin e palestrës sportive. Tani u kam premtuar atyre se gjatë këtij mandati do të ndërtojmë edhe Shtëpinë e Kulturës. Kjo është arsyeja pse paralajmëroj fitoren në këto zgjedhje”, tha Bejta.

Ai paralajmëroi edhe mbështetje shtesë për ekipin e ligës së parë KF “Arsimi”, për të cilin tha se është krenaria e Çegranit. Mbështetje financiare u paralajmërua edhe për SHKA “Jahi Hasani”. 

Kandidati për kryetar të Gostivarit, Nevzat Bejta në takimet tha se në program i është kushtuar vëmendje investimeve të reja, higjienës publike me vendosje të kontejnerëve nëntokësorë dhe më shumë kujdes për sipërfaqet e gjelbra. 

“Është koha që ta fuqizojmë ekonominë lokale, përmes mbështetjes së bizneseve vendore dhe ulje të papunësisë dhe këtë e kemi paraparë”, tha Bejta. 

Paraprakisht në takim me banorët e fshatit fqinj Forinë, ua prezantoi programin zgjedhor për zgjedhjet e përsëritura i cili parasheh për një vit realizim të 25 projekteve, rrugën e re deri në Gostivar, me çka do të lehtësohet komunikacioni në gjithë rajonin. 

“Pas 11 janarit na presin punë të mëdha që të kemi komunë me vendbanime funksionale dhe kushte bashkëkohore”, theksoi kandidati për kryetar Nevzat Bejta. 

Ai në kuadër të aktiviteteve të djeshme në fushatën parazgjedhore kishte takime edhe me banorët e fshatit Çajlë dhe lagjes Pitarnica. 

“Kam dëgjuar shumë njerëz të zhgënjyer për shkak të neglizhencës në tetë vitet e fundit nga pushteti lokal. Megjithatë, ata shprehën mirënjohje për projektet e realizuara gjatë mandatit tim. Së bashku, me fitoren e madhe më 11 janar, do t'ia kthejmë vëmendjen institucionale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe investimet e nevojshme çdo vendbanimi të Gostivarit”, tha Bejta.

Në takimet mbështetje për kandidatin e VLEN-it kërkuan edhe zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. fc/

Foto: Nevzat Bejta

 

Остани поврзан