Nevzat Bejta hyn në garë për kryetar të komunës së Gostivarit
- Nevzat Bejta në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të Komunës së Gostivarit, do të garojë për mandatin e tretë. Ai mbrëmë në profilin e tij në Fejsbuk publikoi kandidaturën dhe se do të ketë mbështetje nga koalicioni VLEN.
Gostivar, 11 dhjetor 2025 (MIA) - Nevzat Bejta në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të Komunës së Gostivarit, do të garojë për mandatin e tretë. Ai mbrëmë në profilin e tij në Fejsbuk publikoi kandidaturën dhe se do të ketë mbështetje nga koalicioni VLEN.
"Të nderuar qytetarë të Gostivarit, në përputhje me rezultatet e anketimeve dhe pas konsultimeve me liderët e VLEN-it, është vendosur që kandidati i VLEN-it për këto zgjedhje në Gostivar të jem unë. Për zyrtarizimin e kësaj nisme të ndershme dhe me qëllim të vetëm – të mirën e qytetit dhe të qytetarëve të Gostivarit – nesër në orën 12:00 do të dorëzojmë kandidaturën pranë Komisionit Komunal Zgjedhor", theksohet në publikimin e Bejtës.
Në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve, Nevzat Bejta dërgoi ftesë ta shoqëronin në paraqitjen e kandidaturës në parkun e vogël pranë ndërtesës së komunës.
Bejta në njëzet vitet e fundit ka ndërtuar një karrierë të pasur politike. Ishte dy herë kryetar i komunës së Gostivarit (2005-2009 dhe 2013-2017), më herët deputet nga radhët e BDI-së, nënkryetar i partisë dhe ministër i Vetëqeverisjes lokale. Ai ishte kandidat i BDI-së dhe në vitin 2021 kur garoi kundër Arben Taravarit.
Nevzat Bejta është kandidati i dytë që hyn në garën për kryetar të komunës së Gostivarit, pasi Valbon Limani i dorëzoi dje dokumentet në KKZ. rq/
Foto: MIA