• петок, 16 јануари 2026

Në Kosovë u shënua 27-vjetori i Masakrës së Reçakut

Në Kosovë u shënua 27-vjetori i Masakrës së Reçakut

Prishtinë, 15 janar 2026 (MIA) - Në Kosovë sot u shënua 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar të vitit 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha kanë  bërë homazhe në Reçak në 27-vjetorin e Masakrës. Homazhe ka bërë edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, Uiliam Uoker.

Osmani ka theksuar se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmia e gjallë se Serbia synonte që të zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut.

"Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë", tha Osmani.

Kurti është zotuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet që Serbia kreu ndaj popullit shqiptar.

"Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve", deklaroi Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza para mediave tha se Masakra e Reçakut ka kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Masakrën e Reçakut në 27-vjetorin e saj, e ka kujtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Ai kujtoi edhe kontributin e ambasadorit Uiliam Uoker për dokumentimin e kësaj masakre, që bëri ta shoh mbarë bota atë që po ndodhte në Kosovë.

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas homazheve tha se na Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së e jo ata që kanë kryer krimet.

Masakrën e Reçakut e ka përkujtuar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë. Përvjetorin e kësaj masakre, OSBE e ka quajtur rikujtim të detyrës kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut, e siguruar drejtësi për të gjithë.

“Sot shënohen 27 vjet nga masakra e Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë 45 jetët e humbura dhe u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të tyre. Një kujtesë për detyrën kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut, duke siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për të gjithë. Kurrë mos harro”, thuhet në postimin e OSBE-së.

Masakra e Reçakut cilësohet si një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit të Kosovës. Në kuadër të përkujtimit, "Ditët e Reçakut”, institucionet lokale dhe ato qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizuan aktivitete të ndryshme në nderim dhe kujtim të viktimave, për ruajtjen e së vërtetës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj. Në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë mësimore iu kushtua 15 Janarit – Masakrës së Reçakut.

Masakrën e Reçakut gjatë luftës në Kosovë e kishte dokumentuar Uiliam Uoker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas kësaj masakre, u intensifikuan përpjekjet diplomatike që çuan drejt Konferencës së Rambujesë (Francë), ndërsa në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake e policore të ish-Jugosllavisë.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Dy javë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për veprën penale - "Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe në vitin 1998/99, vranë 45 civilë në fshatin Reçak të Shtimes.

Të pandehurit, të cilëve iu publikuan vetëm inicialet, janë: O.S., R.M., K.J., G.R., Zh.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A. dhe Z.J. Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë "të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.

Gjykimi në mungesë, për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022. Sipas aktakuzës, në periudhën 1998–1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës "243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të, e njohur si "Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, "kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, "ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”. Hetimet e Prokurorisë kanë vërtetuar, thuhet në njoftimin e saj, se "të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”.

Gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998/99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Edhe sot e kësaj dite, afro 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë të Kosovës.

 

Остани поврзан