Në Gjykatën Penale seancë e re për gjykimin për vrasjen e Vanjës dhe Pançes
- – Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot duhet të vazhdojë gjykimi për vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski nga Velesi, ku i akuzuar i parë është Lupço Palevski – Pallço, bashkë me Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski.
Shkup, 20 janar 2025 (MIA) – Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot duhet të vazhdojë gjykimi për vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski nga Velesi, ku i akuzuar i parë është Lupço Palevski – Pallço, bashkë me Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski.
Gjykimin e udhëheq gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska.
Në seancën e sotme Gjykata do të duhet të deklarohet edhe për kërkesën e të akuzuarit të parë Palevski, për përjashtimin e gjykatësit Ivica Stefanovski, sepse, siç tha, bëhet fjalë për lidhje ndërmjet gjykatës, policisë dhe Prokurorisë. Sipas Palevskit, është e palejuar që gjykatësi të mos interesohet për gjetjen e armës me të cilën janë kryer të dyja vrasjet, ndërsa gëzhoja e gjetur në afërsi të Velesit të mos dorëzohet si dëshmi.
Rasti gjendet në procedurën e dëshmive dhe duhet të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive materiale nga Prokuroria. Në seancën e kaluar, prokurorja Zhaklina Trajkovska në një përmbajtje të shkurt para Gjykatës sqaroi 180 prej gjithsej 197 dëshmive, të cilat kanë të bëjnë me lokacionet ku ishin gjetur viktimat, gjetjet nga mbikëqyrjet e organeve hetuese, gjurmët e gjetura, gjetjet e autopsisë, si dhe raporte nga ekspertizat psikiatrike.
Siç bëri të ditur prokurorja, viktimat ishin vrarë me plumb në kokë nga afërsia, me kalibër të njëjtë të plumbit prej 9 milimetra, duke theksuar se autopsia ka treguar se Vanja nuk ishte mbytur, gjegjësisht që ty dy viktimat ishin gjallë në momentin e ekzekutimit. Sipas analizës ADN nga ngjitësja e cila ishte në gojën e Vanjës, janë gjetur gjurmë të përziera nga vajza, si dhe, sipas gjitha gjasave gjurmë të të akuzuarit Velibor Manev.
Në gjykim ishte prezantuar edhe ekspertiza psikiatrike e të akuzuarve e cila ka treguar se të gjithë e dinin çka bënin në momentin e kryerjes së veprës. Për viktimat e tyre, duke iu referuar gjetjeve psikiatrike, prokurorja Trajkovska, tha se kishin pësuar vuajte të vështirë psikike me intensitet të fuqishëm.
Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur të akuzuarit Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.
Sipas akuzës, ata bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.
E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s