• сабота, 29 јуни 2024

Musliu: Presioni partiak mbisundoi sistemin merit

Musliu: Presioni partiak mbisundoi sistemin merit

Shkup, 28 qershor 2024 (MIA) - Arsyetimi ligjor dhe sistemi meritor për të cilin presidentja flet gjatë gjithë kohës, fatkeqësisht në rastin e shkarkimit tim, mungon, reagon Erolld Musliu, pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova e shkarkoi sot nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Zbulim.

Sipas Musliut, presidentja u dorëzuar ndaj presionit të partisë.

"Veçanërisht jam i zhgënjyer nga procedura dhe mënyra që zgjodhi Presidentja gjatë shkarkimit tim, duke mos treguar virtytin për tu takuar në një takim njoftimi për t'i dhënë asaj një informim mbi natyrën e punës së Agjencisë, për mjedisin e sigurisë dhe situatën aktuale në rajon. Detyrën e drejtorit të Agjencisë e kam ushtruar me krenari dhe nder të veçantë, kam bërë përpjekje mbinjerëzore për të ngritur nivelin e punës me cilësi të lartë dhe për ta transferuar përvojën dhe diturinë time profesionale të fituar gjatë karrierës 31-vjeçare. Nderi është edhe më i madh për vet faktin që jam shqiptari i parë në historinë e bashkësisë së institucioneve të Sigurisë dhe Inteligjencës në vendin tonë, të cilit i është besuar detyra e menaxhimit të Agjencisë së zbulimit", thuhet në reagimin e Musliut.

Poashtu është fakt që gjatë gjithë kohës kam qenë cak i një fushate të ndyrë dezinformimi që ka arritur përmasat e një linçimi politik dhe ka lënë pasoja për familjen time, sidoqoft kam thyer një tabu në shoqerinë tonë, dëshmova që një Shqiptar, dhe në të njejtën kohë pa përkatësi partiake mund të arrijë nivel të lartë, të pranohet dhe respektohet në suaza të kolektivit, si dhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

"Potencoj që jam pionier në idenë dhe arritjen e nivelit më të lartë të përfaqësimit dhe barazisë gjinore edhe në nivel menaxherial, si dhe në fushën e barazisë etnike, duke u dhënë hapësirë të gjitha komuniteteve etnike të përfaqësuara në shoqërinë tonë për të qenë pjesë e Agjencisë. Nën drejtimin tim kemi ngritur nivelin dhe po përmirësojmë kapacitetet tona teknike në procesin e dixhitalizimit dhe të sigurisë së informacionit dhe ajo kibernetike. Kemi të arritura fantastike në aspektin strategjik dhe të punës operative të zbulimit që i kemi kryer në nivel të interesit kombëtar ashtu të natyrës bilaterale dhe me aleatët", thuhet në reagimin e Musliut.

Musliu gjithashtu, shpreh një falenderim i madh ndaj gjithë kolektivit të Agjencisë për zbulim, ndërsa drejtoreshës së re të Agjencisë i dëshiroi sukses në udhëheqjen e Agjencisë.

Nga kabineti i presidentes Gordana Siljanovska Davkova sot informuan se ka marrë vendim për emërimin e Gabriela Jakovlevës për drejtoreshë të Agjencisë për Zbulim dhe vendim për shkarkimin e drejtorit aktual Erolld Musliu.

Siljanovska Davkova, siç informojnë nga kabineti i saj, sot ka shkarkuar zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë për Zbulim, Aleksandra Bakreska Dodovska dhe ka emëruar Ivana Stojanovskën. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан