Murtezani për vizitë pune në Athinë
- Ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani është në një vizitë pune në Athinë, ku është paraparë të takohet me përfaqësues të Qeverisë dhe Parlamentit grek.

Athinë, 7 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani është në një vizitë pune në Athinë, ku është paraparë të takohet me përfaqësues të Qeverisë dhe Parlamentit grek.
Në kuadër të vizitës, ministri Murtezani, siç kumtuan nga MÇE, do të takohet me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, ambasadorja Aleksandra Papadopulu.
“Takimi paraqet një mundësi për të shkëmbyer mendime për disa çështje, duke përfshirë promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe shqyrtimin e sfidave kryesore në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut", theksohet në kumtesën.
Sipas agjendës, ministri Murtezani do të takohet edhe me nënkryetarin e Kuvendit të Greqisë dhe kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Joanis Plakiotakis.
Në fokus të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi parlamentar, dinamika e procesit të reformës dhe mundësitë për nisma të përbashkëta në kuadër të politikës së zgjerimit të BE-së. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s