• петок, 05 декември 2025

Mucunski: Kërkojmë strategji afatgjate nga NATO dhe BE-ja e cila do të rezultojë me integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Mucunski: Kërkojmë strategji afatgjate nga NATO dhe BE-ja e cila do të rezultojë me integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Shkup, 26 nëntor 2025 (MIA) - Në rajonin e Ballkanit Perëndimor jemi dëshmitarë të aktiviteteve të shtuara të aktorëve keqdashës, të cilët përpiqen të dëmtojnë proceset demokratike përmes presioneve ekonomike, ndikimeve politike dhe fushatave dizinformuese. Narrativat anti-perëndimore që shfaqen në pjesë të rajonit synojnë të dobësojnë besimin në isntitucionet dhe të vënë në pikëpyetje kursin evropian dhe euroatlantik. Këto trende kërkojnë reagim intensiv, afatgjatë dhe të koordinuar si nga NATO, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Kërkesa jonë është sigurimi i një strategjie afatgjate nga NATO dhe BE-ja për rajonin, e cila do të rezultojë me integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat e NATO-s dhe BE-së.  

Këtë e porositi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në hapjen e Konferencës rajonale "Prioritetet strategjike të NATO-s, BE-së dhe Evropës Juglindore në rendin ndërkombëtar shumëpolar", organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me MPJdheTJ, dhe mbështetjen e Qendrës për Studime evropiane Uilfrid Martens nga Brukseli.

Ngjarja e sotme, tha Mucunski, do të mundësojë të mendojmë me një qëllim të qartë: si ta forcojmë sigurinë euroatlantike në një kohë kur rreziqet janë më të larta se në çdo pikë tjetër kthese.

"Sot jetojmë në një mjedis gjeopolitik në të cilën kërcënimet janë dinamike, të ndërlidhura dhe shpesh të paparashikueshme. Militarizimi agresiv rus, i përforcuar me kërcënime hibride dhe kinetike të drejtuara ndaj aleatëve, kërcënimi i vazhdueshëm nga terrorizmi, sfida sistemike nga ngritja e Kinës, si dhe operacionet hibride dhe sulmet kibernetike, po e riformësojnë kornizën strategjike mbi të cilën NATO i bazon politikat dhe përgjigjet e saj. Këto faktorë nuk janë vetëm sfida të sigurisë, por edhe një sfidë thelbësore diplomatike për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla", deklaroi Mucunski.

Lufta në Ukrainë, theksoi Mucunski, është sfida më serioze për sigurinë evropiane dhe euroatlantike pas Luftës së Ftohtë.

"Qëllimet revizioniste të Moskës, të mbështetura nga mundësuesit e saj, kërkojnë një përgjigje të qartë, të koordinuar dhe parimore, të bazuar në unitet dhe përputhje të qëndrueshme strategjike. Së bashku me aleatët tanë, po i harmonizojmë përpjekjet diplomatike, politike dhe të mbrojtjes për të siguruar mbështetje të qëndrueshme dhe të besueshme pë Ukrainën, paralelisht me inkurajimin e përpjekjeve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Këto dy procese nuk janë të kundërta, përkundrazi, ato janë komplementare. I përshëndesim përpjekjet e SHBA-së dhe administratës së Trampit, si dhe të aleatëve të tjerë evropianë, për gjetjen e proceseve që do të sjellin një zgjidhje afatgjate paqësore për Ukrainën", deklaroi Mucunski. 

Megjithatë, siç njoftoi Mucunski, katër vite pas fillimit të invazionit, pasojat për stabilitetin evropian janë të rëndësishme edhe në rrethana të tilla, një detyrim dhe një përparësi e lartë për të gjitha shtetet demokratike të demonstrojnë unitet dhe vendosmëri. 

“Përgjigja e Aleancës, përmes operacionit ‘Roja lindore’, është porosi e fuqishme për kredibilitetin e NATO-s se çdo pjesë e territorit të aleatëve do të mbrohet pa përjashtim. Shteti i ynë, krahas kontributit të përforcuar   ushtarak në rajonin tonë, në misionin KFOR në Kosovë dhe në misionin ALTEA në Bosnjë e Hercegovinë, me krenari kontribuon edhe për përforcimin e krahut lindor të NATO-s përmes pranimit të forcave tona në Letoni, Rumani dhe Bullgari. Duke demonstruar se edhe aleatët e vegjël kanë rol kyç në kontributin e sigurisë kolektive. Paralelisht, mbetemi të përkushtuar në përkrahjen e mëtejshme për Ukrainën, në pajtim me kapacitetet dhe mundësitë tona. Këtë e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme me tashmë 15 paketa të dorëzuara të ndihmës, si dhe me trajnime dhe stërvitje për forcat ukrainase”, deklaroi Mucunski.

Në të njëjtën kohë, siç tha Mucunski, jemi ballafaquar edhe me sfidën afatgjate sistematike, të cilën e paraqet Kina.

“Rritja e tyre ekonomike, ambiciet teknologjike, aftësitë ushtarake të errëta dhe marrëdhëniet konkrete me Rusinë kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, koordinim dhe një përgjigje të koordinuar brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ndërtimi i qëndrueshmërisë së përbashkët në energji, materiale kritike dhe infrastrukturë po bëhet një komponent kyç i sigurisë sonë kolektive”, theksoi Mucunski.

Krahas kësaj, Mucunski theksoi se duhet t’i adresojmë edhe kërcënimet që lidhen me Lindjen e Mesme, ndryshimet klimatike, zhvillimet e paqëndrueshme sociale në vendet e këtij rajoni, migrimet, si dhe keqpërdorimi i mjeteve hibride, sulmet kibernetike dhe operacionet e dezinformimit janë vetëm disa nga sfidat që kontribuojnë në paqëndrueshmërinë e këtij rajoni të rëndësishëm për të gjithë ne në Evropë.

“Në kohë trazirash globale, uniteti strategjik nuk është zgjedhje politike, por domosdoshmëri sigurie, forca jonë e përbashkët buron nga solidariteti, parashikueshmëria dhe qëndrueshmëria e politikave tona. Jam i bindur se tani është koha për të demonstruar vizion strategjik, një qasje të integruar dhe vendosmëri politike, të cilat do të sigurojnë të ardhme të qëndrueshme dhe me prosperitet për të gjithë komunitetin evropian”, përfundoi Mucunski.

Konferenca në një vend mbledh zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ekspertë në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga vendi, rajoni dhe BE-ja, të cilët do të diskutojnë për sfidat aktuale të sigurisë që prekin NATO-n, Bashkimin Evropian dhe rajonin, duke marrë parasysh sfidat e pasigurta dhe gjithnjë e më dinamike gjeopolitike.

Fjalime të veta në kuadër të konferencës, siç u paralajmërua, do të mbajnë edhe zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s Radmilla Shekerinska (video fjalim), ambasadorja e SHBA-së Angela Ageler, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler, zëvendëskryetari i Parlamentit dhe deputeti Antonio Miloshoski dhe deputetja në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, Zdravka Bushiq.

Në kuadër të konferencës, siç u paralajmëru, do të promovohet edhe botimi "Përmes ujërave shumëpolare: Evropa Juglindore dhe Strategjia e BE-së për Kinën", e botuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, Qendra për Studime Evropiane, Uilfried Martens dhe ESTIMA, që e analizon pozicionin e vendeve të Evropës Juglindore (EJL) në raport me Kinën, në funksion të dinamikës së ndryshimeve gjeopolitike globale. qa/bsh/

 

Фото: МИА 

 

Остани поврзан