• петок, 05 декември 2025

MPB dhe KRSKRR e filluan fushatën dimërore “Ngis me siguri – Arrij me siguri”

MPB dhe KRSKRR e filluan fushatën dimërore “Ngis me siguri – Arrij me siguri”

Shkup, 13 nëntor 2025 (MIA) - Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, e filluan fushatën dimërore me moton “Ngis me siguri – Arrij me siguri”, me një aktivitet parandalues-edukativ në stacionin e pagesës “Petrovec”, i realizuar së bashku me pjesëtarë policorë nga Sektori për Punë të Komunikacionit pranë Byrosë për Siguri Publike dhe pjesëtarë policorë nga Njësia Mobile për Siguri në Komunikacionin Rrugor.

Në prag të kushteve dimërore, siç njoftoi MPB-ja, qëllimi i fushatës është t’i rikujtojë shoferët se nga 15 nëntori deri më 15 mars është e detyrueshme posedimi i pajisjeve të përcaktuara dimërore, si dhe t’i edukojë ata për përdorimin e duhur të tyre.

"Si pajisje të përcaktuara dimërore për automjete motorike deri në 3.500 kg nënkuptohen gomat dimërore me thellësi minimale të shenjave prej 4 mm në të katër rrotat, ose goma verore me thellësi minimale të shenjave prej 4 mm dhe zinxhirë bore për rrotat lëvizëse. Për automjetet me lëvizje në të katër rrotat (4×4) kërkohen goma dimërore në të katër rrotat me thellësi minimale të shenjave prej 6 mm ose goma verore me thellësi minimale të shenjave prej 4 mm dhe zinxhirë bore", kumtoi MPB-ja.

Kushtet dimërore paraqesin një nivel më të lartë rreziku: rrugë të rrëshqitshme për shkak të borës, akullit apo ngricës, dukshmëri të zvogëluar për shkak të mjegullës së dendur ose reshjeve, distancë më të gjatë të frenimit dhe paqëndrueshmëri gjatë lëvizjeve të papritura, si dhe lodhje më të madhe tek shoferët.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i ndjekin këto rekomandime: ndiqni informacionet për kushtet atmosferike dhe rrugore; përshtateni ngasjen sipas kushteve të rrugës; respektoni rregullat dhe shenjat e komunikacionit; mbani pajisje dimërore në automjet dhe përdorini ato në mënyrë të duhur; bëni kontroll dimëror të automjetit; mbani distancë të sigurt ndërmjet automjeteve; shmangni frenimin e menjëhershëm dhe ndryshimet e papritura të shpejtësisë së automjetit.

Me këtë fushatë, siç thuhet në kumtesë, MPB-ja dhe KRSKRR dërgojnë mesazh se siguria rrugore është një detyrim i përbashkët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një kulturë e sjelljes së përgjegjshme dhe të sigurt në komunikacion. bsh/

Foto: MPB

Остани поврзан