• петок, 05 декември 2025

Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme e vizitoi Hashim Thaçin n Hagë

Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme e vizitoi Hashim Thaçin n Hagë

Tiranë, 4 nëntor 2025 (MIA) - Ministrja shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka zhvilluar dje një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në mjediset e paraburgimit të Gjykatës Speciale, njofton ASTH-ja duke iu referuar postimit të Spiropalit në rrjetet sociale.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare e besoj të gjithë popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, tha Spiropali.

“Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në gjendje të mirë. Ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë”, theksoi ministrja e Punëve të Jashtme.

Spiropali theksoi se i shprehu Thaçit mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të qeverisë shqiptare, të kryeministrit Edi Rama, për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike e jo padrejtësi historike.

“Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar dhomat e specializuara dhe Gjykatën Speciale, të mos kthehet në të kundërtën e vetë, por të respektojë procesin e rregullt ligjor, të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha ne urojmë që besimi që Shqipëria, Kosova, por dhe shqiptarët në tërësi kanë në drejtësinë ndërkombëtare të mund të jetë i përligjur deri në fund”, tha Spiropali.

Më tej, ministrja e Jashtme u ndal tek rëndësia e luftës së bërë nga Kosova për të mbrojtur të dashurit e tyre dhe shtëpitë e tyre. Qëllimi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë sulmi ndaj një shteti tjetër, theksoi Spiropali.

“Është me rëndësi të madhe edhe një herë të theksohet që populli i Kosovës, djemtë e vajzat e Kosovës, u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend, e kurrsesi për të agresuar apo sulmuar një popullatë apo një vend tjetër. Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset. Kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia, dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë”, tha Spiropali.

Ministrja shprehu bindjen që “pas dëshmive të dhëna këtu, e pas një procesi të rregullt ligjor, ne do mund të shohim drejtësi për luftëtarët, drejtësi për Kosovën dhe të vërtetën e saj”. mb/

Foto: MIA

Остани поврзан