• недела, 11 јануари 2026

Ministri amerikan i Mbrojtjes paralajmëron për kërcënimin në rritje nga Kina

Ministri amerikan i Mbrojtjes paralajmëron për kërcënimin në rritje nga Kina

Bangkok, 31 maj 2025 (MIA) - Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, paralajmëroi sot për kërcënimin në rritje të shpejtë nga Kina në rajonin Indo-Paqësor, duke deklaruar se Kina po përgatitet për një sulm të mundshëm ndaj Tajvanit, por SHBA-ja nuk do të lejojë që aleatët e saj të "nënshtrohen", transmetoi DPA.

“SHBA-ja po i ndjek me kujdes “veprimet destabilizuese” të Pekinit”, tha Hegset në fjalimin e sotëm në ditën e dytë të konferencës tre-ditore të sigurisë "Dialogu Shangri-La" në Singapor.

Ai paralajmëroi për "pasoja katastrofale" në rast të një sulmi kinez ndaj Tajvanit, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj, pavarësisht se Tajvani ka pasur një qeveri të pavarur dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike për dekada të tëra, transmetoi agjencia gjermane, duke shtuar se Republika Popullore synon të aneksojë Tajvanin dhe tashmë ka kërcënuar me veprime ushtarake nëse mjetet paqësore dështojnë.

Ndryshe nga viti i kaluar, Ministri kinez i Mbrojtjes Dong Xhun nuk mori pjesë në konferencë. Vëzhguesit besojnë se Pekini shmangu qëllimisht një takim të mundshëm me Hegsetin, kujtoi DPA.

“Kina po ndërton ushtrinë që i nevojitet për të sulmuar ajvanin”, tha Hegset, duke shtuar se “ajo po stërvitet çdo ditë për këtë dhe po praktikohet për një marrëveshje të vërtetë”.

Hegse  theksoi se duhet të jetë e qartë për të gjithë se Pekini konkretisht po përgatitet të përdorë forcën ushtarake për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në Indo-Paqësorin.

"Ne e dimë, është publike, se presidenti kinez Si Xhinping ka urdhëruar ushtrinë e tij të jetë e aftë të sulmojë Tajvanin deri në vitin 2027".

Hegset e akuzoi Kinën se po përpiqet të bëhet një fuqi hegjemonike në Azi, duke synuar të dominojë dhe kontrollojë të gjithë rajonin. Ai deklaroi se SHBA-ja nuk kërkon konflikt "me Kinën komuniste".

"Ne nuk do të nxisim, as nuk do të përpiqemi të nënshtrojmë ose poshtërojmë", shtoi ai.

Konferenca në Singapor mblodhi qindra ministra, përfaqësues ushtarakë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar për krizat dhe kërcënimet aktuale, transmetoi DPA. ls/

Foto: EPA

Остани поврзан