Ministrat e Tregtisë të BE-së do të debatojnë për marrëdhënet tregtare me SHBA-të dhe Kinën
- Marrëdhëniet tregtare të Bashkimit Evropian me SHBA-të dhe me Kinën do të jenë temat kryesore të Këshillit të sotëm të Punëve të Jashtme të BE-së në nivel ministrash kompetent për tregtinë që do të mbahet në Bruksel.
Bruksel, 24 nëntor 2025 (MIA) - Marrëdhëniet tregtare të Bashkimit Evropian me SHBA-të dhe me Kinën do të jenë temat kryesore të Këshillit të sotëm të Punëve të Jashtme të BE-së në nivel ministrash kompetent për tregtinë që do të mbahet në Bruksel.
Mbledhja do të fillojë me debatin për gjendjen aktuale dhe perspektivat e marrëdhënieve tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, në dritën e marrëveshjes dypalëshe tregtare të 21 gushtit 2025 dhe hapave të ndërmarra për zbatimin e saj.
Përveç kësaj, bashkëpunimi tregtar midis BE-së dhe SHBA-së do të jetë temë edhe në drekën e punës, ku ministrëve evropian do t’u bashkohen sekretari amerikan i tregtisë Hauard Lutnik dhe përfaqësuesi tregtar Xhejmison Grir.
Ministrat e tregtisë do të shkëmbejnë mendime edhe për ngjarjet aktuale dhe perspektivat e ardhshme të marrëdhënieve tregtare mes BE-së dhe Kinës, veçanërisht pas njoftimit të autoriteteve kineze për kufizimet e reja ose pezullime të eksportit të mineraleve të rralla.
Përveç kësaj, në Këshill do të diskutohet edhe për marrëveshjet dypalëshe tregtare të BE-së me disa partnerë të tjerë, të cilët tashmë janë harmonizuar, por ende nuk janë nënshkruar, ose për të cilat negociatat janë ende në vazhdim, siç është rasti me Indinë.
Parashikohet që Komisioni Evropian t’u paraqesë ministrave raportin vjetor për zbatimin e politikës tregtare të BE-së, ndërsa komisioneri evropian për tregti dhe siguri ekonomike, Marosh Shefçoviç, do ta prezantojë raportin e tij mbi progresin në proceset e thjeshtimit dhe zbatimit. Përveç kësaj, Gjermania, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Finlanda dhe Suedia do të paraqesin propozime për tarifa shtesë për produktet e importuara nga Rusia dhe Bjellorusia. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s