Mickoski për ngrirjen e programeve të USAID-it: Çdo mbështetje është e mirëpritur, por edhe kjo duhet të na kthjellojë se në të ardhmen duhet vetë të kujdesemi për veten
- Kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me ngrirjen e programeve të USAID-it nga ana e administratës së re amerikane, theksoi se kjo duhet të na kthjellojë dhe të kuptojmë se në të ardhmen duhet vetë të kujdesemi për veten, vetë të ndërtojmë një shoqëri e cila do të jetë shoqëria jonë e përbashkët.

Shkup, 4 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me ngrirjen e programeve të USAID-it nga ana e administratës së re amerikane, theksoi se kjo duhet të na kthjellojë dhe të kuptojmë se në të ardhmen duhet vetë të kujdesemi për veten, vetë të ndërtojmë një shoqëri e cila do të jetë shoqëria jonë e përbashkët.
"Çdo mbështetje në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve demokratike të një shteti është e mirëseardhur. Por edhe kjo duhet të na kthjellojë dhe të kuptojmë se në të ardhmen duhet vetë të kujdesemi për veten, të ndërtojmë vetë një shoqëri e cila do të jetë shoqëria jonë e përbashkët pa dallim të dallimeve tona politike, etnike, fetare etj. Duhet të jemi vetë të vetëdijshëm se kjo është shtëpia jonë e përbashkët dhe se ne jemi të gjithë nën këtë ombrellë të njejtë. Këtu kemi lindur, këtu kemi vuajtur, këtu jemi gëzuar dhe me siguri pjesa më e madhe e jona këtu edhe do ta përfundojmë jetën. Duhet t'i përveshim mëngët dhe të ndërtojmë një shtet më të bukur", tha Mickoski në konferencën për shtyp me ministrin për Vetëqeverisje Lokale Zllatko Perinski për thirrjen e dytë për financim të projekteve të komunave.
Në lidhje me atë se si do të ndikonte në ekonominë e Maqedonisë njoftimi i administratës së presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave më të larta për Evropën, kryeministri nuk dëshironte ta komentojë këtë politikë.
"Kjo është një politikë autonome e administratës së re të presidentit Tramp. Unë nuk kuptova se do të jetë ndaj Evropës, mendoj se kjo do të jetë siç njoftuan me Kanadanë, Meksikën dhe Kinën dhe kjo do të jetë jashtë Bashkimit Evropian. Unë ashtu e kuptova gjithë këtë. Unë nuk do ta kisha komentuar atë politikë, sepse ajo politikë u përdor në zgjedhje, fitoi ajo administratë dhe tani e kemi presidentin Tramp si president të SHBA-së", tha ai.
Mickoski thekson se në çdo sfidë duhet të gjejmë shans si shtet dhe siç tha edhe ta fitojmë atë shans.
"Por, ajo që unë mendoj si kryetar i Qeverisë së Maqedonisë është në çdo sfidë të gjejmë shans për ne si shtet dhe derisa mendojmë ashtu nga sfida do të kërkojmë një shans dhe do ta fitojmë atë shans. Nëse lëmë dikë tjetër të na mbrojë dhe ndonjë i tretë të na ushqejë, atëherë gjërat do të shkojnë keq. Prandaj edhe thashë, të bashkohemi në dallimet tona, çfarëdo qofshin ato, partiake, fetare, etnike, nën këtë ombrellë jemi të gjithë së bashku dhe sa më shumë të jemi bashkë aq më i fortë do të jetë atdheu ynë", tha Mickoski. sa/
Foto: FB i USAID Maqedoni/Printskrin