Mickoski për interpelancën për Këshillin gjyqësor: Nuk ka mënyrë si të shkarkohen anëtarët, por lufta do të jetë me presion publik
- Nuk ka mënyrë që me forcë të shkarkohet Këshilli gjyqësor, as anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, për të cilët është iniciuar interpelancë. Mund të mos japin dorëheqje pavarësisht votës së mosbesimit. Por, lufta për ndryshime në sistemin gjyqësor do të jetë me presion publik, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për interpelancat e dorëzuara për anëtarët e Këshillit gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi - Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska, Pavlina Cërvenkovska dhe Selim Ademi.
![Mickoski për interpelancën për Këshillin gjyqësor: Nuk ka mënyrë si të shkarkohen anëtarët, por lufta do të jetë me presion publik](https://mia.mk/images/20250209142316_big_730x400_28.webp )
Shkup, 9 shkurt 2025 (MIA) - Nuk ka mënyrë që me forcë të shkarkohet Këshilli gjyqësor, as anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, për të cilët është iniciuar interpelancë. Mund të mos japin dorëheqje pavarësisht votës së mosbesimit. Por, lufta për ndryshime në sistemin gjyqësor do të jetë me presion publik, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për interpelancat e dorëzuara për anëtarët e Këshillit gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi - Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska, Pavlina Cërvenkovska dhe Selim Ademi.
"Organi që ka zgjedhur këta pesë anëtarë ka të drejtë të japë mendim për punën e tyre dhe duke mos pranuar raportin e punës së tyre ka dhënë mendimin e vet. Dhe tani është logjike që deputetët të iniciojnë një procedurë të tillë për interpelancë për anëtarët e Këshillit gjyqësor që kanë zgjedhur, sepse aty nuk ka anëtarë të Këshillit gjyqësor që zgjidhen vetëm nga deputetët, ka edhe anëtarë nga gjykatat etj. Por, e përsëris, kjo nuk do të thotë se atyre anëtarëve u përfundon mandati. Megjithatë, ata mund të thonë se ne nuk japim dorëheqje dhe do të vazhdojmë ta udhëheqim drejtësinë me dy për qind besim të qytetarëve. Kushtimisht thënë, ligji është i tillë - jopreciz dhe kjo mund të ndodhë", ka thënë Mickoski.
Kryeministri thotë se kjo nuk e habit dhe se si politikanë mund të ushtrojnë vetëm presion publik, sepse vlerëson që opinioni nuk është i kënaqur me punën e kësaj përbërje.
"Me forcë nuk mund të bëjmë asgjë. Ligji i mbron ata deri në fund. Sigurisht, ky është ligji, ata mund të thonë ne nuk japim dorëheqje dhe do të vazhdojmë deri në përfundimin e mandatit. Përndryshe, cilat janë mënyrat? Ja pra që të mos ketë asnjë dilemë. Mjeti është publiku. Luftojmë publikisht. E vërteta është më e saktë në publik. Do të luftojmë me publikun. Vlerësoj që publiku nuk është i kënaqur me punën e kësaj përbërje të Këshillit gjyqësor dhe mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë se publiku. Absolutisht me presion publik", ka thënë Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas fillimit të rikonstruimit të sheshit në Komunën e Aerodromit.
Kryeministri ka thënë se shpreson se ata do të japin dorëheqje.
"Mendoj se do të jenë të përgjegjshëm, nëse votohet interpelanca, gjegjësisht nëse konkluzioni i deputetëve është se atje duhet të ketë ndryshime, ata të largohen", ka thënë Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se nëse shkarkohen, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit gjyqësor do të bëhet sipas ligjit në fuqi.
"Nuk mund që me supozime të bëjmë politikë. Duhet të bëjmë politikë të bazuar në parametra që janë pjesë e realitetit dhe ne e pranojmë atë realitet ashtu siç është", ka thënë ai.
Lidhur me atë se a do të iniciojnë ndonjë procedurë për anëtarët e Këshillit të prokurorëve publik, Mickoski theksoi se hap pas hapi do të vijojnë shumë reforma në gjyqësor.
"Hap pas hapi do të pasojnë shumë reforma. Nuk do të doja kurrë të flisja me një ton më të lartë apo të kërcënoja se çfarë do të ndodhë më pas, por fillimisht të ndodhin gjërat dhe më pas do të komentojmë. Kjo është mënyra se si funksionon kjo Qeveri. Me kujdes, hap pas hapi, në heshtje, pa shumë bujë, pa shumë paralajmërime, pa shumë kërcënime, të kryejmë punët", tha kryeministri Mickoski.
Grupet parlamentare të partive në pushtet VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM të premten në Shtëpinë ligjvënëse kanë dorëzuar interpelancë në lidhje me punën e anëtarëve të Këshillit gjyqësor që zgjidhen nga Kuvendi – Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska, Pavlina Cërvenkovska dhe Selim Ademi.
Në interpelancat e dorëzuara për punën e anëtarëve të Këshillit gjyqësor deri te kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksohet se janë iniciuar për shkak të moszbatimit konsekuent të kompetencave, veçanërisht për shkak të neglizhencës, gjegjësisht dëmtimit të reputacionit të gjyqtarëve dhe rrezikimit dhe dëmtimit të besimit të qytetarëve në gjyqësor, me këtë edhe në tërë sistemit të drejtësisë.
Foto: arkivi i MIA-s