Mickoski: Maqedonia organizon fluturime çarter për evakuim të qytetarëve nga Dubai, Katari dhe Kuvajti
- – Grupi i parë i qytetarëve të Maqedonisë i cili do të evakuohet sot do të udhëtojë nga Dubai drejt Shkupit, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Shkup, 8 mars 2026 (MIA) – Grupi i parë i qytetarëve të Maqedonisë i cili do të evakuohet sot do të udhëtojë nga Dubai drejt Shkupit, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ai sqaroi se janë organizuar fluturime çarter nga Arabia Saudite, të cilët do t’i presin qytetarët e Maqedonisë të pranishëm në Katar dhe Kuvajt.
“Këto ditë janë organizuar gjithsej katër fluturime çarter, me disa dhjetëra vende të lira. Disa nga vendet e rajonit na kanë kërkuar gjithashtu të transportojmë qytetarët e tyre, pra t'i sjellim në Maqedoni”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ky është shembull për dallimin ndërmjet qeverisë së kaluar dhe qeverisë së tanishme, duke shtuar se Maqedonia sot është faktor i qëndrueshmërisë në rajon dhe u ndihmon shteteve të tjera, për dallim nga e kaluara.
“Nga qeveria dikur e dobët në Maqedoni që u gjunjëzua për të marrë 5.000 vaksina, sot ne jemi faktor stabiliteti dhe i ndihmojmë vendet në rajon. Ky është ndryshimi midis atyre nga LSDM dhe BDI dhe kësaj Qeverie të udhëhequr nga VMRO-DPMNE”, tha Mickoski.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme paraprakisht njoftoi se sot fillon evakuimi i shtetasve të Maqedonisë nga vendet e Lindjes së Mesme, e cila do të realizohet me fluturime çarter.
Nga Ministria informuan se kanë lidhur kontratë me një kompani ajrore, në përputhje me Ligjin për furnizimet publike, pas zhvillimit të procedurës përkatëse. Sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës së paraparë, pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të evakuohen të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për t’u kthyer.
Sipas të dhënave të fundit Ambasadën në Doha e kanë kontaktuar 150 shtetas të Maqedonisë, nga të cilët 95 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Ambasada në Abu Dabi është kontaktuar nga gjithsej 585 persona që qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga 36 persona nga Kuvajti, 15 nga Bahrejni dhe 5 nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Ministria, siç thuhet në njoftim, edhe një herë u bën thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ende nuk kanë kontaktuar me përfaqësitë përkatëse diplomatike-konsullore, por kanë nevojë për evakuim ose asistencë, ta bëjnë këtë sa më shpejt përmes numrave të telefonit kujdestar të përfaqësive diplomatike-konsullore ose përmes numrit SOS të Ministrisë.
Detajet teknike dhe organizative lidhur me realizimin e fluturimeve do të përcaktohen në koordinim me operatorin ekonomik, për çka qytetarët do të informohen me kohë. fc/
Foto: MIA