Mickoski: Maqedonia do të jetë vendi me numrin më të madh të investimeve të huaja për kokë banori në Evropë
- Arsimi është prioritet për ne dhe nuk mund të ketë shtet të fortë pa arsim të fortë, theksoi kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hristijan Mickoski, i pyetur në lidhje me ndërtimin e Fakultetit të kulturës fizike dhe FINKI në Shkup.

Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Arsimi është prioritet për ne dhe nuk mund të ketë shtet të fortë pa arsim të fortë, theksoi kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hristijan Mickoski, i pyetur në lidhje me ndërtimin e Fakultetit të kulturës fizike dhe FINKI në Shkup.
Sipas kryeministrit Mickosi, ndërtimi i infrastrukturës për arsimin e lartë është shumë i rëndësishëm dhe kur investohet në arsimin e lartë gjithmonë arrin rezultate.
"Zgjidhjen konceptuale të objekteve do ta caktojnë studentët dhe ata në bashkëpunim me projektuesit do të japin zgjidhjen përfundimtare pavarësisht stilit të zgjedhur. Por jam i shqetësuar që në këtë vit shkollor 2024-2025 kanë mbaruar rreth 14 mijë maturantë. Ka mungesë të rinjsh, prandaj duhet një paradigmë e re dhe duhet të dimë se ku duam të jemi pas 10 apo 15 vitesh, të shohim me vizion, pavarësisht se në cilin universitet studiojmë. Ne do të ndërtojmë ndërtesat, por kam frikë se nuk do të ketë mjaft njerëz për të studiuar. Nuk është e gjitha politika dhe dëshira për pushtet, duhet të jemi vizionarë për atë se ku duhet të mbërrijmë. Të rinjtë duhet të pyesin veten dhe të thonë se ku do të gjenden pas 18 vitesh...ne si Qeveri po mendojmë për këtë proces të madh dhe gjithëpërfshirës që duhet të krijohet bashkërisht", theksoi Mickoski.
Deputeti Bojan Stojanovski pyeti edhe për gjendjen në sektorin energjetik, temë kjo që sipas kryeministrit Hristijan Mickoski është temë globale, jo vetëm lokale apo rajonale.
"Pa pavarësi dhe stabilitet energjetik nuk mund ta zhvillojmë vendin sepse nuk do të mund të sigurojmë burime për zhvillimin ekonomik. Në EMV kemi trashëguar rreth 5 miliardë denarë borxh, kemi trashëguar kaos në MEPSO dhe kemi trashëguar një tender për interkonektorin e gazit me Greqinë që rrezikohej të anulohej për shkak të financimit nga kreditorët evropianë. Por, me angazhimin tonë në ndërtimin e interkonjektorit energjetik të gazit jugor dhe verior, ne po bëhemi faktor në rajon. Në Manastir e kemi konsoliduar furnizimin me thëngjill, çmimi i rrymës ka mbetur i njëjtë edhe pse është rritur kudo në rajon dhe standardi i qytetarëve është para së gjithash dhe mbi gjithçka për ne", theksoi Mickoski dhe kërkoi publikisht nga LSDM-ja opozitare të marrë pjesë në debatin e paralajmëruar për cilësinë e ajrit në qytetin e Shkupit.
Në pyetjen e deputetit Bojan Stojanovski lidhur me investimet e huaja direkte në vend, kryeministri tha se Maqedonia do të jetë vendi me numrin më të madh të investimeve të huaja për kokë banori në Evropë.
"Nga maji deri në nëntor kemi 120 milionë euro investime mujore. Pres që në shkurt Maqedonia të jetë vendi me numrin më të madh të investimeve të huaja për kokë banori në Evropë. Diçka në të cilën nuk kemi qenë për një kohë të gjatë, mbani mend, ne ishim në fund. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse në përllogaritjen e PBV-së në kushte krize në industrinë automobilistike dhe prodhimin e ulur industrial, në kushte të kërkesës së ulur për lëndë të parë nga minierat tona, investimet e huaja, turizmi, shërbimet dhe bujqësia janë ato që duhet ta mbulojnë atë mungesë, apo diferencën që do të ndodhte në PBV, theksoi Mickoski dhe paralajmëroi se në qershor me investimin e Alkazar Enerxhi do të vendoset gurthemeli i parkut të erës në vlerë prej gjysmë miliardë dollarësh. ls/
Foto: MIA