• петок, 05 декември 2025

Mickoski: Gjyqtarët kërkojnë buxhet gjyqësor mbi mesataren evropiane, madje 75 për qind më shumë, çfarë suksesi kanë arritur për atë buxhet

Mickoski: Gjyqtarët kërkojnë buxhet gjyqësor mbi mesataren evropiane, madje 75 për qind më shumë, çfarë suksesi kanë arritur për atë buxhet

Shkup, 18 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sonte në "Top Tema" në televizionin Telma, duke folur mbi temën e gjyqësorit dhe prokurorisë, theksoi se gjyqtarët në vend kërkojnë buxhet gjyqësor mbi mesataren evropiane, madje 75 për qind më shumë, por, thotë, cilat rezultate i kanë treguar gjyqtarët që ta marrin atë buxhet dhe prandaj ai nuk sheh arsye për rritjen e kësaj shume.

"Nëse flasim për buxhetin, të prezantoj një analizë për qytetarët maqedonas. Ky është raport evropian. Buxheti që ne si shtet е ndajmë për gjyqësorin është 0,39 për qind e bruto prodhimit të brendshëm. Qytetarët duhet ta dinë se Greqia fqinje ndan 0,26%, Franca ndan 0,26 për qind të shkojmë hap më tej, Gjermania ndan 0,3 për qind, ndërsa mesatarja evropiane është 0,31 për qind e PBB-së, ndërsa mediana është 0,28 për qind. Ne ndajmë më shumë si nga mediana ashtu edhe nga mesatarja evropiane, ose në numra, më shumë se 75 për qind e vendeve anëtare të BE-së", tha kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski shtoi se edhe vendet që synojnë anëtarësimin në BE ndajnë buxhet më të ulët se Maqedonia, përkatësisht Shqipëria 0,295 për qind, Moldavia 0,35 për qind, Gjeorgjia 0,23 për qind, pra ne ndajmë më shumë se të gjithë.

"Ligji thotë deri në 0,8 për qind. Në ndryshimet e reja të ligjit kërkojnë minimum 0,8 për qind dhe minimum 0,5 për qind për prokurorinë ose gjithsej 1,3 për qind, gjë që nuk ka shanse teorike, sepse kjo do të ishte tre herë më shumë në krahasim me shtetin që ndan më shumë për gjyqësorin në Evropë. Sipas raportit evropian, një gjyqtar fillestar fiton 19.170 euro pagë bruto në vit, ndërsa në Slloveni një gjyqtar fillestar fiton 34.101 euro bruto në vit, diku rreth 80 për qind më shumë, ndërkohë që PBB-ja për Maqedoninë është diku 6,5 mijë euro, ndërsa për Slloveninë 28 mijë euro. Pra matematikisht, një gjyqtar fillestar në Slloveni ka 80 për qind pagë bruto më të lartë se një gjyqtar fillestar në Maqedoni, me një PBB tre herë e gjysmë më të lartë se ajo që kemi ne. Ku është proporcionaliteti këtu", tha kryeministri Mickoski.

Mickoski theksoi për opinionin që ta dijë saktë, se nga një gjykatë në Maqedoni, pagat, kryetari i asaj gjykate ka pagë rreth 180.000 denarë, rreth 3.000 euro, ndërsa paga e tij si kryeministër është 155.000 denarë.

"Në rajon, buxheti për gjykatat: Shqipëria 0,17 për qind e PBB-së, ne 0,30 për qind, Moldavia, që është front raner në procesin e afrimit me BE-në, 0,18 për qind, Gjeorgjia 0,15 për qind. Kjo tregon se buxheti që qeveria ndan për sistemin gjyqësor është më i lartë se ai i 75 për qind të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Unë nuk shoh nevojë për rritjen e kësaj shume dhe sa i përket pjesës për miratimin e planit të punësimeve dhe avancimeve, nuk kam problem, Qeveria nuk ndërhyn në gjyqësor, por qeveria është përgjegjëse për shpenzimin e çdo denari të parave të popullit dhe kur këto para i shpenzon një organ i administratës së shtetit, është logjike që shteti të kujdeset për këtë", deklaroi kryeministri Mickoski.

Mickoski shtoi se Qeveria nuk ndërhyn në gjyqësor, por shtoi "Qeveria është përgjegjëse për shpenzimin e çdo denari të parave nga populli" dhe kur ato para nga populli i shpenzon ndonjë institucion apo organ i administratës së shtetit, është logjike që shteti të kujdeset për këtë".

"Ata thonë mos u shqetësoni për ne, ne do të kujdesemi vetë, ndërsa ju vetëm do t’ju informojmë. Ne themi në rregull, do ta pranojmë dhe do të jetë pjesë e ligjeve. Por, nuk e shoh nevojën për rritjen e buxhetit në kushte kur edhe vetë Raporti i ardhur nga Këshilli i Evropës konstaton se buxheti që ne e ndajmë është më i lartë si përqindje e PBB-së se sa ai i 75 për qind të vendeve anëtare të BE-së. Dhe dua të theksoj se në të kaluarën kemi pasur eksperimente kur prokurorët merrnin edhe dhjetë herë paga më të larta sesa kolegët e tyre në PSP, e dini si përfunduan me çanta nga Louis Vuiton, me honorare të paguara që numërohen në dhjetëra, madje qindra mijëra euro, ndërsa drejtësia e pamë si përfundoi", tha Mickoski.

Lidhur me atë se çfarë ka bërë Qeveria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Mickoski tha se ndryshe nga më parë, tani hapen hetime dhe dorëzohen kallëzime penale tek organet e drejtësisë.

"Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet. Në atë rast është i përfshirë edhe një ish-funksionar i lartë i Prokurorisë dhe në atë moment anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, diçka që në të kaluarën ishte e pamundur. Për shumë raste nga qeveria e kaluar janë dorëzuar kallëzime penale, janë hapur hetime, disa prej tyre janë në arrati, disa janë këtu, proceset gjyqësore kanë filluar. Kemi një drejtor të një institucioni shëndetësor i cili u kap me ryshfet dhe u arrestua. Kemi një drejtor që është pjesë e strukturës së VMRO-DPMNE-së i cili gjithashtu u kap me ryshfet dhe tani është në paraburgim, e kështu me radhë", theksoi kryeministri.

Mickoski theksoi se prokurorët dhe gjyqtarët nuk e shfrytëzuan mundësinë për të zbatuar drejtësi, duke nënvizuar se në të gjitha anketat e bëra, gjyqësori dhe prokuroria kanë nivelin më të ulët të besimit nga qytetarët.

"Ne që nga dita e parë kemi thënë se nuk do të bëjmë spektakël, kemi thënë se do të luftojmë kundër krimit dhe korrupsionit dhe ashtu po veprojmë. Kemi thënë se do t’u japim mundësi, por ata nuk e shfrytëzuan atë mundësi. A ka dikush në shtet, ndonjë qytetar, që mendon se këta anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe këta prokurorë janë persona kredibilë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit? Unë nuk mendoj kështu dhe këtë e tregojnë shifrat. Në çdo anketë të bërë, do të shihni se qytetarët kanë besimin më të ulët pikërisht tek prokurorët dhe gjyqtarët", është decid Mickoski. fc/

Foto: Qeveria

 

Остани поврзан