Mickoski do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trampit në Uashington
- - Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili është për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp në Uashington.
Shkup, 20 janar 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili është për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp në Uashington.
Mickoski, siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, në inaugurimin do të jetë i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zëvëndëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe zëvendësministrja për çështje evropiane, Viktorija Trajkov.
Delegacioni i udhëhequr nga kryeministri Mickoski do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e titulluar "Zërat e lirisë" që do të mbahet pas inaugurimit të organizuar nga kompanitë "Tramp Media" dhe "Rambëll".
"Pritjet janë që gjatë qëndrimit të tij Mickoski të ketë më shumë takime dypalëshe, kontakte dhe takime me më shumë persona nga administrata e re e presidentit amerikan. Mickoski do të takohet edhe me biznesmenë me origjinë maqedonase për të diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e mundshme vendore, thuhet në kumtesën e qeverisë.
Ky do të jetë inaugurimi i dytë i Donald Trampit, i cili do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në inaugurimin në Kapitol pritet të marrin pjesë presidentë dhe kryeministra të shumtë, si dhe drejtues të organizatave botërore. Mandati i parë presidencial i Trampit ishte nga 20 janari 2017 deri më 20 janar 2021.
Mickoski dje pati takim me Kris Pavllovski, pronarin e kompanisë Rambëll, ku një pjesë e strukturës aksioneve janë edhe Hauard Lutnik, ministri i ri i Ekonomisë së SHBA-së dhe XhD Vens, nënpresidenti amerikan, si pjesë e administratës së re të presidentit Tramp.
"Drejt nga aeroporti në takim..., në Uashington pata një takim të gjatë jashtëzakonisht produktiv me mikun tim Kris Pavllovski, pronar i kompanisë Rambëll, ku pjesë e strukturës aksionere janë edhe Hauard Lutnik, ministri i ri i Ekonomisë i SHBA-së dhe XhD Vens, nënpresident i SHBA-së si pjesë e administratës së re të presidentit Tramp. Kapitali i Pavllovskit nga Forbes është vlerësuar në 1,2 miliardë dollarë, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.
Ai shton se në takimin është diskutuar për investimet e Rambëll në Maqedoni në pjesën e digjitalizimit.
"Duke marrë parasysh që Kris është me origjinë maqedonase, Maqedonia është një temë që është gjithmonë pjesë e bisedave tona, kemi diskutuar për sfidat që janë pjesë e së tashmes, por edhe e së ardhmes. Ne luftojmë për përparimin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë dhe të atdheut", tha Mickoski.
Fotografia: Arkivi i MIA-s dhe Fejsbuku i kryeministrit Mickoski