12:00 / 22 dhjetor / 2025
Shkup - Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup në ceremoni solemne do të shënojë 9-vjetorin e fillimit të punës. Kjo ngjarje, siç bëhet e ditur në kumtesën e UNT-së shënon një dekadë suksesi, rritjeje akademike dhe përkushtimi ndaj arsimit të lartë. Në shenjë nderimi për këtë përvjetor, Universiteti "Nënë Tereza" do të ndajë titullin më të lartë akademik "Doctor Honoris Causa" për akademik Alajdin Abazin, në mirënjohje të kontributit të tij të shquar në fushën e arsimit dhe shkencës, si dhe për rolin e tij si model frymëzimi për brezat e rinj.
Shkup - Temperatura më e ulët prej -4 gradë mëngjesin e sotëm është matur në Berovë dhe Vinicë. Siç kumtoi DPHM-ja, temperatura minus këtë mëngjes ka edhe në Kriva Pallankë (-3), -1 gradë në Prilep, Strumicë, Tetovë dhe Hanet e Mavrovës. Zero gradë janë matur në Shtip dhe Kavadar, 1 në Shkup-Zajçev Rid, Shkup-Petrovec, Demir Kapi dhe Veles, 2 gradë në Ohër, Krushevë dhe Gjevgjeli, 3 gradë në Pretor.
Shkup - Uji në Shkup është i sigurt për t’u pirë, sipas të dhënave nga analizat e 189 mostrave nga 45 pika matëse. "Sektori për kontroll sanitar prej 15 deri 19 dhjetor mori 189 mostra për hulumtim fiziko-kimik dhe 189 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit për pije nga 45 vende matëse në Qytetin e Shkupit. Në pajtim me rezultatet e marra nga hulumtimet, të gjitha mostrat përputhen me Rregulloren për kërkesa për siguri dhe cilësi të ujit të pijshëm", kumtuan nga NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi" Shkup.
Bruksel – Qëllimi kryesor i garancive të sigurisë për Ukrainën është që të sigurohet që ai vend asnjëherë nuk do të bëhet viktimë e sulmit, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. "Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të mos sulmohet më kurrë pas arritjes së një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje. Putini duhet ta kuptojë se një sulm tjetër do të ishte fatal për të", theksoi Rute për gazetën gjermane “Bild”.
Moskë - Një gjeneral rus është vrarë në një sulm me bombë në Moskë, kumtuan sot hetuesit shtetërorë, transmetoi DPA. Komiteti hetues kumtoi se gjeneral-nënkolonelo Fanil Sarvarov e humbi jetën nga një pajisje shpërthyese e vendosur në automobilin e tij në një zonë banimi në jug të kryeqytetit rus. Hetuesit po shqyrtojnë disa motive të mundshme për vrasjen, përfshirë nëse shërbimet e inteligjencës ukrainase ishin të përfshira, deklaroi zëdhënësja e komitetit Svetlana Petrenko, në kumtesë. Sarvarov, 56 vjeç, së fundmi shërbeu si udhëheqës i departamentit në Shtabin e Përgjithshëm të Rusisë, sipas hetuesve.
Sidnei - Burri (24), për të cilin dyshohet se është një nga dy sulmuesit përgjegjës për sulmin terrorist në plazhin Bondai, është transferuar nga spitali në burg, njoftoi sot policia lokale. Policia bëri të ditur se burri është dërguar në një institucion korrektues në pjesën lindore të Sidneit. Kompleksi përfshin edhe spitalin Long Bej, një repart me siguri të lartë për raste mjekësore dhe psikiatrike, raportoi DPA. Më 14 dhjetor, dy sulmues hapën zjarr ndaj njerëzve në plazhin ikonik Bondai në Sidnei, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Shumica e viktimave ishin hebrenj që po shënonin ditën e parë të Hanukës.
Xhakarta – Të paktën 16 persona humbën jetën gjatë rrokullisjes së një autobusi të udhëtarëve në ishullin indonezian Java, njoftuan sot autoritetet lokale. Shoferi i autobusit në të cilin kishte 34 udhëtarë, e humbi kontrollin dhe goditi një gardh betoni përpara se të rrokullisej, deklaroi shefi i Agjencisë për kërkim dhe shpëtim. Autobusi po udhëtonte nga kryeqyteti Xhakarta drejt qytetit të lashtë mbretëror të Jogjakarta, ndërsa u rrokullis në afërsi të qytetit Semarang në Javën qendrore.
Uashington – Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, ndryshon 30 diplomatë nga karriera nga pozita të ambasadorëve dhe të tjera në ambasada. Kjo ndodh në kuadër të përpjekjeve për riformësim të përfaqësive diplomatike amerikane dhe vendosje të kuadrove për të cilin konsiderohet se plotësisht i mbështet prioritetet e Trampit nga “Amerika në vend të parë”, transmeton Beta duke iu referuar Asoshiejtes pres. Shefat e misioneve në të paktën 29 vende u njoftuan javën e kaluar se mandatet e tyre do të përfundonin në janar, thanë dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit, duke folur në kushte anonimiteti. Ata që preken nga ndryshimet nuk do t'i humbasin vendet e tyre të punës në shërbimin e punëve të jashtme dhe do të kthehen në Uashington për detyra të tjera nëse zgjedhin t'i marrin ato, thanë zyrtarët.