• среда, 10 декември 2025

Mbrojtja e Maksutit dhe Selamit beson se aktakuza për "Puls" është e pabazë, përdorimi i pajisjeve piroteknike të paautorizuara dhe aktivitetet e paligjshme - shkaktarët e vërtetë të tragjedisë

Mbrojtja e Maksutit dhe Selamit beson se aktakuza për

Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Në seancën e sotme për rastin "Puls" në Koçan, mbrojtja e ish drejtorëve të akuzuar të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) Bekim Maksuti dhe Xhevat Selami kundërshtuan aktakuzën. Avokati Elenko Milanov theksoi se aktakuza ndaj Bekim Maksutit është e pabazë dhe se klienti i tij nuk mund të vihet në lidhje shkak-pasojë me ngjarjen, ndërsa avokati Jasmin Kalap theksoi se procedura ndaj Xhevat Selamit bazohet në fakte të paplota dhe të konstatuara gabim. Të dy avokatët para gjykatës theksuan se fajtorët e vërtetë për zjarrin nuk janë përfshirë në aktakuzë dhe se klientët e tyre nuk kanë kompetenca ligjore, as fuqi faktike për të ndikuar në rezultatin tragjik. 

Avokati Elenko Milanov e arsyetoi mbrojtjen e tij për drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Bekim Maksuti. Milanov para gjykatës theksoi se aktakuza është e pabazë dhe se klienti i tij nuk mund të vihet në lidhje shkak-shkak pasojë me tragjedinë. 

Ai tha se fajtorët e vërtetë për zjarrin nuk janë përfshirë në aktakuzë:

"E vërteta e kësaj aktakuze është se për atë që e shkaktoi zjarrin nuk keni aktakuzë... bëhet fjalë për sjellje të pamenduar, sipas aktakuzës, nga dy persona, nga interpretuesi i asaj mbrëmjeje, por për mënyrën e interpretimit dhe përdorimin e mjeteve e dinte i gjithë grupi", tha ai.

Milanov theksoi se tragjedia është pasojë e përdorimit të pajisjeve piroteknike të paautorizuara në hapësira të mbyllura.

Nga aspekti juridik, avokati tha se neni 288 paragrafi 2 nga Kodi Penal nuk mund të zbatohet ndaj një personi zyrtar. 

Milanov theksoi se që nga viti 2009 në Koçan nuk ka inspektor të DMSH-së, por kjo, sipas tij, nuk ka asnjë lidhje me zjarrin. Për më tepër, ai theksoi se deri te DMSH-ja asnjëherë nuk u dorëzuar dokumentacioni i projektit për objektin "Kabare Puls"

"Detyrimi i drejtorisë, veçanërisht i drejtorit, është të ekzistojë një plan vjetor që duhet t’i dorëzohet këshillit inspektues. Ne do t’ju dëshmojmë se drejtori as nuk e përgatit, as nuk e miraton atë. Këshilli inspektues i ka pranuar këto plane në periudhën kur Bekim Maksuti ka qenë drejtor", tha ai.

Në fund, avokati e përmbylli se nuk ka asnjë fakt që e lidhë Maksutin me tragjedinë. 

Bekim Maksuti, nga ana tjetër, nuk dha komente të tjera dhe e pranoi fjalimin hyrës të avokatit të tij

Avokati Jasmin Kalaç, mbrojtës i të akuzuarit Xhevat Selami, kritikoi procedurën e akuzës, duke pohuar se ajo bazohet në fakte të paplota dhe të konstatuara gabim.

"Akuzat janë të mbështetura në fakte të paplota dhe të gabuar, shkelje të thella të ligjit penal dhe nuk sigurojnë mjaftueshëm prova që do të mund të justifikonin arsyen e dyshimit se i akuzuari Selami ka kryer veprën penale që i vihet në barrë", deklaroi Kalaç.

Ai theksoi se aktakuza nuk përmban veprime konkrete ose qëllim. 

Sipas mbrojtjes, Selami nuk ka qenë fare në vendngjarje dhe nuk ka pasur kompetenca ligjore për të vepruar. 

Kallaç theksoi se i akuzuari është ngarkuar për pasojat ndaj të cilave nuk ka pasur asnjë fuqi dhe e përmendi përdorimin e pajisjeve piroteknike të paligjshëm dhe aktivitetet e paautorizuar si shkaktarët e vërtetë të tragjedisë. 

Sa i përket burimeve të stafit, Kallaç theksoi se DMSH-ja ka pasur një numër shumë të vogël të inspektorëve dhe shtoi se Selami, menjëherë pas marrjes së detyrës ka marrë masa për punësime të reja, 

Kallaç gjithashtu sfidoi edhe cilësinë e provave dhe apeloi deri te gjykatësi: "Ky është një proces historik, mos lejoni që përgjegjësia për dështimin e të gjithë aparatit shtetëror të ngarkohet vetëm mbi këtë njeri". 

Selami e pranoi fjalimin hyrës të mbrojtësit të tij pa bërë komente të tjera.

Mbrojtësi i inspektorit të përgjithshëm në DMSH-së, Lupço Grnçishtanov, avokati Donço Nakov, në fjalën hyrëse theksoi se para gjykatës gjatë procedurës do të dëshmojnë, përmes dispozitave ligjore dhe rregulloreve, se i akuzuari Grnçishtanov ka marrë të gjitha masat dhe aktivitetet operative, normative, organizative, mbikëqyrëse dhe teknike që kërkoheshin nga ligji, brenda kompetencave të tij dhe jo brenda kompetencave të të tjerëve.

"Do të dëshmojmë se ai nuk ka kryer veprime të neglizhencës që, sipas teorisë së përgjegjësisë së zinxhirit, do ta bënin atë të konsiderohet bashkëfajtor për këtë vepër. Do të dëshmojmë se ai nuk ka kryer veprën", tha Nakov.

Ljupço Grnçishtanov, vetëm e pranoi fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij, ndërsa familjeve të viktimave u shprehu ngushëllime dhe të lënduarve u dëshiroi shërim të shpejtë.

Më parë, mbrojtja e ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Adnan Xhaferovski, vlerësoi se aktakuza është ligjërisht e gabuar dhe pa fakte që e lidhnin atë me zjarrin tragjik. Mbrojtësja e tij, avokatja Suzana Joshevska, paralajmëroi se procedura bazohet në një "regjistër të kthyer në aktakuzë" dhe se "asnjë mangësi sistemore nuk krijon përgjegjësi penale individuale". Xhaferovski personalisht deklaroi se "ndërgjegja e tij është absolutisht e pastër” dhe se beson në “ndershmërinë e drejtësisë dhe drejtësinë e gjykatës". 

Ndërsa, Shabam Saliu, gjithashtu, ish drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (2008-2017), në fjalimin e tij hyrës para gjykatës theksoi se në periudhën prej 2012 deri 2017 në institucion asnjëherë nuk kishte marrë dokumente, kërkesa ose denoncime lidhur me objektin. Ai akuzoi prokurorinë për ndërhyrje në kompetenca dhe përgjegjësi, duke nënvizuar se është e qartë mungesa e fajit të tij dhe kompetencës ligjore lidhur me ngjarjen tragjike.

Prokuroria i akuzon drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim për periudhën nga 2012 deri më 10 mars 2025, se, megjithëse ishin të vetëdijshëm për mundësinë e pasojave dëmtuese, nuk morën masa për mbrojtjen e jetës dhe pronës nga zjarret. Sipas aktakuzës, ata nuk kanë vepruar sipas detyrimeve ligjore të parashikuara në nenet 68 dhe 139 të Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim, as nuk kanë kryer mbikëqyrje mbi rregullat dhe rregulloret për mbrojtjen kundër zjarrit. Për më tepër, drejtorët nuk morën vendim për caktimin e një inspektorati në Komunën e Koçanit, e cila nga viti 2012 ka mbetur pa inspektorat, ndërsa i akuzuari Lupço Grnçishtanov nuk ka koordinuar punën e shërbimit inspektues sipas nenit 31 të Ligjit për mbikqyrje inspektuese. Në planet vjetore deri në vitin 2020, nuk ishte parashikuar kryerja e mbikëqyrjes inspektuese mbi objektet në Koçan, që prokuroria e konsideron si një mangësi kyçe.

Mbeten edhe fjalët hyrëse edhe të mbrojtjes së isht ministrave Valon Saraçini dhe Kreshnik Bekteshi, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, mes të cilëve Xhevair Kamberi, Shefket Hazari, Zoran Nikollovski, Bekim Haxhiu, Arlinda Kasapi dhe Razmena Çekiq Duroviq.

Fjalë hyrëse duhet të japin dhe inspektorët e tregut Mile Ampov, Blashka Evtimova, Vesna Kuzmanovska dhe Emil Mitev, ndërsa mbeten dhe fjalët hyrëse të të pandehurit Aleksandar Nacev, pronar i agjencisë së sigurisë "Rubikon", procedura e të cilit u bashkua me këtë pak para fillimit të gjykimit.

Prokuroria, e përfaqësuar prej një ekipi prej 15 prokurorëve publikë, paralajmëroi se dëshmitë do të tregojnë se klubi "Pulls" ka qenë pritë vdekjeprurëse që nga vet fillimi, rezultat i moskujdesit sistematik dhe lëshimeve institucionale.

Në bankën të akuzuarve janë 37 persona - pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë të komunës, roje sigurie dhe nëpunës shtetërorë. qa/

Foto: MIA

 

 

 

 

 

Тагови

Остани поврзан