• петок, 05 декември 2025

Mbi 350 të vdekur dhe 366 të zhdukur në përmbytjet dhe rrëshqitjen e dheut në Sri Lankë

Mbi 350 të vdekur dhe 366 të zhdukur në përmbytjet dhe rrëshqitjen e dheut në Sri Lankë

Kolombo, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Të paktën 355 persona kanë vdekur dhe 366 të tjerë rezultojnë të zhdukur në rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet më të këqija të Sri Lankës, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për katër ditë pas fillimit të katastrofës, njoftoi sot Qendra për Menaxhim të Katastrofave (DMC).

Numri i të vdekurve është rritur ndërsa ekipet e kërkimit hynë në zona më parë të paarritshme, duke nxjerrë më shumë trupa dhe duke gjetur dhjetëra shtëpi të varrosura.

Zonat më keq të goditura janë rrethet qendrore Kandi, Nuvara Elija dhe Badulla, ku janë raportuar më shumë se 100 rrëshqitje dheu.

Ujërat e përmbytjeve po tërhiqen, por janë raportuar disa rrëshqitje të reja dheu.

Ndërkohë, një helikopter i forcave ajrore të Sri Lankës i përfshirë në një operacion shpëtimi u rrëzua mbrëmë, me ç'rast është është vrarë piloti dhe janë plagosur katër të tjerë në veriperëndim të vendit.

"Si vend, po përballemi me katastrofën më të madhe dhe më sfiduese natyrore në historinë tonë. Ne gjithashtu e pranojmë se ajo që po ndërmarrim është operacioni më i vështirë i shpëtimit në historinë e kombit tonë", tha presidenti Anura Kumara Disanajake në një fjalim drejtuar kombit.

Më shumë se një milion njerëz janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të ciklonit Ditvah, i cili goditi tokën të enjten dhe u zhvendos drejt Indisë jugore të shtunën.

Rrugët, urat, shtëpitë dhe linjat e energjisë janë shkatërruar, një goditje e rëndë për vendin, i cili po rimëkëmbet nga një krizë ekonomike në vitin 2022 që çoi në shpalljen e falimentimit. mb/

Foto: EPA

Остани поврзан