Masar Omeragiq për MIA-n: Jemi të përqendruar në kualifikimin për Kupën e botës dhe qëndrojmë prapa ekipit kombëtar, t'u japim mbështetje djemve
- "Unë jam optimist, qëllimi im i vendosur është të rris cilësinë e futbollit në Maqedoni", shprehet në intervistë për MIA-n kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiq. Në prag të kualifikimeve për Kampionatin e Botës 2026, Omeragiqi dërgon mesazh uniteti dhe mbështetje të ndërsjellë për ekipin kombëtar. Ai beson se përparimi i koordinuar në të gjitha segmentet – nga puna me të rinjtë në krijimin e kushteve më të mira për trajnime dhe gara – do të rezultojë në suksese edhe më të dukshme në vitet e ardhshme.
Shkup, janar 2026 (MIA)
Angella RAJÇEVSKA NANKOV
"Unë jam optimist, qëllimi im i vendosur është të rris cilësinë e futbollit në Maqedoni", shprehet në intervistë për MIA-n kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiq. Në prag të kualifikimeve për Kampionatin e Botës 2026, Omeragiqi dërgon mesazh uniteti dhe mbështetje të ndërsjellë për ekipin kombëtar. Ai beson se përparimi i koordinuar në të gjitha segmentet – nga puna me të rinjtë në krijimin e kushteve më të mira për trajnime dhe gara – do të rezultojë në suksese edhe më të dukshme në vitet e ardhshme.
Omeragiqi thekson se qëllimi themelor i mandatit të tij është ngritja e cilësisë së futbollit në vend – proces ky që, siç thekson ai, kërkon qasje dhe përpjekje të koordinuar nga të gjithë faktorët në sistemin. Ai beson se rezultatet tashmë po bëhen të dukshme dhe se kampionatet e ardhshme do të sjellin pasqyrë edhe më të fortë dhe më cilësore të futbollit.
"E shikoj pozitivisht gjithë këtë, mendoj se kemi vendosur mjaft risi në punën me kategoritë e reja. Natyrisht, duhet pak kohë, por për një vit kemi bërë shumë gjëra. Presim që së shpejti të shihen edhe rezultatet që ishin të mira edhe vitin e kaluar. Sa i përket pajisjeve dhe gjërave të tjera, ne dhuruam pajisje për mbi 2.000 fëmijë. Me atë politikë do të vazhdojmë në vitin 2026, mbetet vetëm të përmirësojmë hap pas hapi projektet e mundshme të infrastrukturës që do t'u mundësojnë fëmijëve të kenë kushte më të mira për trajnim", shprehet ai.
Në pyetjen rreth transparencës financiare dhe nëse federata është e qëndrueshme në mënyrë që të mund të zbatojë të gjitha projektet e përcaktuara, ai u përgjigj se punojnë me kursim dhe se janë shkurtuar të gjitha shpenzimet joproduktive. Kryetari ndau se është planifikuar ndërtimi dhe rekonstruksioni i disa terreneve dhe tribunave, mes të cilave janë Ohri, Tetova, Kratova, Koçani, Shtipi...
"Momentalisht ka filluar ndërtimi i tribunës në Ohër. Së shpejti do të fillojmë në Tetovë, ku FFM do të marrë pjesë me mbi një milion euro për stadiumin - për ulëset dhe mbulimin e tri tribunave. Po planifikojmë një fazë tjetër në Kavadar, ku do të instalojmë ndriçim në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale. Në Kratovë, në stadiumin e Sileksit, planifikojmë të instalojmë një shtresë me busenë. Në Koçan, dhomat e zhveshjes duhet të përshtaten dhe rregullohen për të qenë vërtet të përshtatshme për përdorim. Në Shtip, përfunduam projektin me tribunën, e cila tashmë është dorëzuar për përdorim. Në Dojran, projekti është në përfundim e sipër – presim që terreni me bari artificial të përfundojë deri në shkurt. Këto janë projekte që ose janë në vazhdim ose planifikojmë t'i fillojmë. E gjithë kjo do të rrjedhë me vrullin që e lejojnë burimet financiare, shprehet Omeragiqi.
Në vazhdim, ju transmetojmë intervistën e plotë me kryetarin e FFM-së Masar Omeragiq.

Si do ta përmirësoni konkretisht konkurrueshmërinë në ligat vendore dhe do ta riktheni publikun në tribunat?
Federata e Futbollit mund të miratojë rregullore që do të nënkuptojnë lojë më të rregullt të kampionatit dhe kushte më të drejta për të gjithë. Një nga ato hapa ishte vendosja e sistemit VAR. Jam i bindur se rezultatet janë të shkëlqyera dhe se gjykimi është në nivelin më të lartë krahasuar me vitet e mëparshme. Është normale që ka gabime – ku nuk ka? Por në vendin tonë ato janë në minimum. Sa për gjënë tjetër, hapi i shkurtimit të ligës ishte goditje e plotë. Kemi 10 ekipe të ligës së parë, gjë që duhet të çojë në përqendrim më të lartë të cilësisë. Futbolli i keq nuk luhet në kampionatin tonë, megjithëse ne si popull jemi përzgjedhës - na pëlqen të shohim spektakle të mëdha, e kjo është e pamundur në kushtet tona. Ky nuk është vetëm problemi ynë - është problem më i gjerë në Ballkan, ku stadiumet nuk janë të mbushura kudo. Kur njerëzit shikojnë Premier ligën, Bundesligën ose La Ligën, është normale që nuk jemi në atë nivel. Por për mua, cilësia e kampionatit tonë është solide.
Përveç shkurtimit të ligës, ju paralajmëruat edhe riorganizimin e ligave komunale. Si do të kontribuojë në përmirësimin e strukturës së përgjithshme të futbollit?
Do të luhet futboll i vërtetë dhe e gjithë kjo do të organizohet në nivel rajoni. Ato liga komunale të futbollit do të mbeten në qytetet. E vetmja gjë për të cilën do të punojmë në vijim është riorganizimi i ligës së tretë me ligën e katërt. Duhet të diskutojmë se çfarë është në interes të klubeve. Është shumë e logjikshme të formohen ligat e zonave të përbëra nga 2–3 komuna të afërta territoriale, në mënyrë që të ketë liga të vërteta në të cilat do të luhet vërtet futboll.
Si, ndërkohë, FFM mund të motivojë dhe mbështesë përzgjedhjen tonë kombëtare për të realizuar ëndrrën në prag të duelit me Danimarkën, dhe çfarë mund të bëjë secili prej nesh – qytetarët – për të kontribuar në atë mbështetje?
Federata e Futbollit e bën këtë vazhdimisht. Ekipi ynë është ambasador i shtetit — shembull klasik i asaj çfarë paraqet Maqedonia. Përzgjedhja përbëhet nga lojtarë që bëjnë më të mirën në fushë për të përfaqësuar më mirë shtetin. Ne si federatë, bëjmë gjithçka për të siguruar që ata gjithmonë të kenë kushtet më të mira për trajnim dhe udhëtim. Flasim me ta – para kësaj interviste këtu ishte kapiteni Enis Bardhi, i cili pati takim të përbashkët me përzgjedhësin Goce Sedlloski. Diskutuam për përgatitjet për ndeshjen me Danimarkën. Dje ishte edhe Stole Dimitrievski. Ajo që më bën të lumtur është se lojtarët janë me të vërtetë njerëz seriozë dhe pozitivë që bëjnë më të mirën kur luajnë për ekipin kombëtar.

Jam optimist. Gjithçka që ishte e keqe në vitin 2025 e lëmë pas nesh — kishte edhe momente të mira, futbolli është i tillë. Tani të gjithë jemi të përqendruar në kualifikime dhe qëndrojmë prapa ekipit kombëtar. Ky është edhe mesazhi ynë: të lëmë mënjanë inatet personale, të përqendrohemi te përfaqësuesja dhe t'u japim mbështetje djemve. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në Kopenhagë dhe pas Kopenhagës.
Sukses arritën edhe kombëtaret e grave deri në moshën 17 dhe 19 vjeç, me promovimin e siguruar në ligat A. Cilat janë pritshmëritë tuaja prej tyre dhe cili është plani i FFM-së për afirmimin dhe zhvillimin e futbollit të femrave?
Atje instaluam një përzgjedhës të ri Aleksandar Andov nga Koçani që sipas meje bën një punë të shkëlqyer. Ne patëm disa takime, në fund ai mori dritën jeshile nga unë që të të mund të punojë plotësisht në ndërrimin e gjeneratave në ekipin kombëtar A. Mbi të gjitha, sepse gjeneratat e reja, vajzat deri në 17 dhe 19 vjeç tregojnë nivel të lakmueshëm të cilësisë dhe luajnë me dashuri. Nga kjo pikëpamje, përzgjedhësi së shpejti do të zbatojë ndërrim të plotë të gjeneratës. Vajzave të reja do t'u jepet mundësia të luajnë vazhdimisht - për ekipin kombëtar A. Ne nuk do të ushtrojmë presion, do të jemi të durueshëm, do t'i lëmë të kaliten përmes humbjeve dhe të arrijnë nivel të lakmueshëm, në mënyrë që për 3-4 vjet të kemi ekip kombëtar të shkëlqyeshëm për femra.
A konsideroni se ndoshta investimi pak më shumë në ligën vendore të futbollit për femra do të kontribuojë gjithashtu në ato paraqitje ndërkombëtare për t'u përmirësuar?
Ne si Federatë bëjmë gjithçka në fuqinë tonë - të gjitha donacionet dhe atë që është e mundur e drejtojmë në futboll në kategorinë e femrave. Në vitin 2025, për herë të parë, pajisjet u shpërndanë për të gjitha kategoritë e të rinjve në klubet e femrave. Kjo është ajo që mund të bëjmë. Pjesa tjetër është në duart e klubeve. Kampioni i kampionatit tonë luan kualifikueset për Ligën e Kampionëve nën patronazhin e UEFA-s dhe merr shpërblime për këtë - ashtu si në futbollin e meshkujve, vetëm të pasqyruara në atë të femrave.

Nga gjithë ajo që bëni, është e pamohueshme që qëllimi juaj është të ndërtoni futboll konkurrues, profesional dhe të organizuar evropian në vend. Cilat janë prioritetet kryesore të cilave do t'u përkushtoheni në vitin e ardhshëm në mënyrë që ta arrini këtë?
Integriteti i garave është një nga gjërat kryesore të cilave dua t'u kushtoj vëmendje. Siguria në përballjet, gjykim sa më të drejtë të jetë e mundur, si normalisht. Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë gabime. Megjithatë, nuk do të ketë gabime ose direktiva të qëllimshme se dikush duhet të dëmtohet. Asnjë referi nuk i është sugjeruar të gjykojë në favor të dikujt. Përkundrazi, kemi folur me ta dhe gjithmonë u kemi thënë atyre që të përpiqen të japin maksimumin dhe ta bëjnë gjykimin 50-50, pa favorizim. Gabimet i konsiderojmë pjesë integrale të sportit, por ato do të sanksionohen. Ne gjithashtu do të luftojmë kundër sjelljes së pahijshme në tribuna. Nuk ka dhunë në tribuna. Mendoj për brohoritje fyese dhe të papërshtatshme. Nuk kemi probleme të tilla me grupet e tifozëve - nuk ka dhunë apo incidente. Përkundrazi, mendoj se me bisedë mund të arrihen rezultate të mira. Në vitin 2025 vërtetuam se kemi arshin të njëjtë për të gjithë.
A mund të veçoni një qëllim që dëshironi të arrini me vendosmëri në mandatin?
Qëllimi themelor dhe i vendosur është ngritja e cilësisë së futbollit në Maqedoni. Është proces kompleks që nuk varet vetëm nga unë, as vetëm nga Këshilli Drejtues. Të gjithë duhet të mendojmë në të njëjtin drejtim. Ne bëjmë më të mirën dhe rezultatet ngadalë bëhen të dukshme. Besoj se do të jenë edhe më të mira në kampionatet e ardhshme.
Foto: Frosina Naskoviq
Video: Sërgjan Kërstiq dhe Andrej Brankoviq