• петок, 05 декември 2025

"Marshi për engjëjt" në Shkup, kërkohet përgjegjësi dhe drejtësi

Shkup, 15 nëntor 2025 (MIA) - Drejtësia dhe e vërteta duhet të dalin në dritë, kush është përgjegjës, kush mund ta kishte parandaluar por nuk e bëri, cilat institucione vonuan në reagim, të ndërmerren masa dhe të bëhet gjithçka që një tragjedi e tillë të mos i ndodhë më kurrë askujt, kërkuan sot prindërit e atyre që humbën jetën në zjarrin në diskotekën "Puls" në "Marshin për engjëjt" i cili këtë herë u mbajt në Shkup.

Marshi filloi në mesditë në sheshin "Maqedonia", nga ku vazhdoi drejt Kuvendit dhe më pas pjesëmarrësit u drejtuan drejt Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

Para Kuvendit, fjalim mbajti Natalija Gjorgjieska, bashkëshorte e Andrejt nga grupi DNK.

"Nuk kërkojmë mëshirë dhe ngushëllime, kërkojmë drejtësi, të vërtetën, procedurë të drejta dhe garanci se asnjë familje nuk do të zgjohet në natën që ne përjetuam", tha ajo.

Askush, theksoi Gjorgjieska, nuk është i mbrojtur kur institucionet nuk e bëjnë punën e tyre. Prandaj, siç tha ajo, kjo nuk është thirrje politike, por thirrje e sinqertë për drejtësi, për të vërtetën dhe njerëzimin.

"Të nderuar deputetë, ju kërkojmë të inicioni iniciativë për të mbajtur një seancë mbikëqyrëse para komisionit kompetent parlamentar, si dhe të formoni një komision të posaçëm hetimor për hetim të plotë dhe të pavarur të tragjedisë, sepse humbja nuk është një numër, por jetë. Në këtë rast, janë shkelur të drejtat për jetën dhe sigurinë e veprimit në kohë nga institucionet në një situatë kërcënuese për jetën. Kërkojmë që të përcaktohet pse institucionet vonuan. Askush nuk duhet të jetojë me mendimin se dikush mund të ishte shpëtuar, por nuk u shpëtua. Asnjë familje nuk duhet të durojë dhimbjen që është pasojë e një dështimi, neglizhence ose mosveprimi të tillë. Kërkojmë që të zbardhet e vërteta, ku ndodhën dështimet, kush nuk reagoi, cilat institucione vonuan. Cilët kishin detyrën të parandalojnë, por nuk e parandaluan", theksoi ajo.

Sipas prindërve dhe të afërmve të viktimave në zjarrin në diskotekën në Koçan, hetimi që u zhvillua mbeti i paplotë me pyetje të hapura pa përgjigje dhe rrethana të paqarta.

Organizatorët e marshit thonë se janë të vetëdijshëm se rruga drejt drejtësisë do të jetë e gjatë dhe e vështirë e mbushur me rezistencë dhe qëllime të shtrembëruara. Por, theksojnë se nëse gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të gjithë qëndrojnë krah për krah, sistemi nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të veprojë siç kërkon populli.

Gjyqi për tragjedinë në diskotekën "Puls" në Koçan ku humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 u plagosën, do të fillojë më 19 nëntor në sallën e gjyqit të Qendrës ndëshkuese përmirësuese Idrizovë. Rasti përfshin 38 të akuzuar - 35 persona fizikë dhe tre juridikë. Gjykimi do të zhvillohet me një ritëm prej dy seancash në javë, ndërsa datat fillestare janë caktuar për 19, 25 dhe 26 nëntor.

Gjykata paralajmëroi se do të marrë masa të përforcuara sigurie, përfshirë praninë e një ekipi mjekësor. Autoritetet u bënë thirrje mediave dhe publikut për raportim dinjitoz dhe të përgjegjshëm, pa sensacionalizëm, me respekt për viktimat dhe të gjitha palët në procedurë.

Foto: MIA

 

Остани поврзан